Mbështetja për NATO-n në Gjermani është duke shënuar rritje, si dhe në vendet tjera evropiane, por në rast të konfliktit eventual me Rusinë vetëm një numër i vogël gjermanësh do të mbështesnin mbrojtjen e shtetit partner, tregon një hulumtim amerikan.
Studimi i ri i Qendrës kërkimore Pew, e cila përfshin qytetarët e vendeve evropiane, SHBA dhe Kanadasë, tregon se imazhi i NATO-s po përmirësohet në të dyja anët e Atlantikut.
Mbështetje më të madhe për NATO-n ka në Poloni dhe Holandë, ku Aleancën e mbështesin 79 për qind e të anketuarve. Gjermania renditet e treta për nga mbështetja, pasuar nga Kanadaja, SHBA, Britania, Franca dhe Spanja, tregojnë rezultatet e kërkimit amerikan.
Rezultatet tregojnë se Gjermania është e gatshme të mbështesë intervenimin ushtarak të NATO-s më pak se sa vendet tjera.
Vetëm 40 për qind e të anketuarve do të mbështeste ndihmën ushtarake për partnerët në “konflikt serioz” me Rusinë”, transmeton KosovaPress.
Pavarësisht sinjaleve kontradiktore nga fitorja e Donald Trump e këndej, 65 për qind e amerikanëve të anketuar besojnë se qeveria amerikane do të respektonte obligimet e veta në luftën hipotetike me Rusinë.
Samiti i sotëm i NATO-s në Bruksel do të jetë i pari në të cilin Trump merr pjesë dhe për herë të parë si anëtare merr pjesë edhe Mali i Zi, pranimi formal i së cilës pritet të bëhet në fillim të qershorit.