Këshilli organizativ për Kuvendin e jashtëzakonshëm zgjedhor të Partisë së Drejtësisë (PD), ka njoftuar se iniciativës për mbajtjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm zgjedhor janë duke iu bashkuar mbi 80 % e degëve të PD-së, të cilat në të njëjtën kohë kanë kërkuar dorëheqjen e Ferid Aganit.
Sipas një komunikate të grupit, i cili ka dalë kundër Aganit, shumica dërmuese e degëve të PD-së, përkatësisht 18 prej 23 degëve sa ka gjithsej PD, kanë vendosur të marrin pjesë në Kuvendin e jashtëzakonshëm zgjedhor të Partisë që do të mbahet të mërkurën.
“Në të njëjtën kohë të gjitha këto degë, kërkojnë prej Aganit, që të tërhiqet prej kreut të Partisë dhe mos ta sfidojë edhe më tutje anëtarësinë e PD-së me manipulime, mashtrime, shantazhime, kërcënime e joshje. Këshilli organizativ për Kuvendin e jashtëzakonshëm zgjedhor të PD-së konsideron se Aganit, i ka humbur legjitimiteti politik për drejtimin e PD-së, dhe kërkon prej tij që ti përgjigjet Kuvendit të jashtëzakonshëm zgjedhor, të ofron dorëheqjen dhe të ju mundëson pjesëmarrjen në këtë Kuvend edhe të 5 degëve të tjera që ende nuk kanë vendosur si rezultat i presionit të tij. Në të njëjtën kohë Këshilli organizativ konsideron se Këshilli Drejtues i datës 3 shtator ka marr vendim të drejtë për organizimin e Kuvendit të jashtëzakonshëm zgjedhor duke hap mundësi dhe rrugë për reformimin e PD-së përmes një procesi transparent, statutor dhe demokratik”, thuhet në komunikatë./Telegrafi/