Shumica e kandidatëve që kanë aplikuar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për njohjen e diplomave të tyre të marra në Shqipëri janë refuzuar edhe më parë nga ky institucion.
Këtë e kanë konfirmuar për gazetën drejtues të MASHT-it, të cilët kanë thënë se nuk mund të paragjykojnë njohjen apo mosnjohjen e tyre, sepse sipas Planit dinamik të hartuar nga NARIC (Qendra për Njohjen e Diplomave nga Jashtë), ka ende kohë ligjore për kthimin e përgjigjeve në këto kërkesa, shkruan sot Koha Ditore.
MASHT-i në fund të muajit mars ka sjellë vendim që t’i shqyrtojë për pranim të gjitha diplomat e lëshuara nga institucione të akredituara dhe të licencuara nga shteti i Shqipërisë.
Me të marrë këtë vendim, MASHT-i e ka obliguar Departamentin për Arsimin e Lartë të zbatojë procedurat për vlerësim dhe njohje të diplomave të shkollave të larta profesionale dhe të gradave universitare, të fituara në institucionet jopublike (private) të arsimit të lartë, të akredituara dhe të licencuara në Republikën e Shqipërisë.