Site icon Telegrafi

Shumë zeje në Kosovë në rrezik të zhduken

Shumë zeje të vjetra në Kosovë, që dikur ishin bartës të zhvillimit ekonomik, sot janë në rrezik të zhduken. Kjo gjendje është pasojë e zhvillimit teknologjik si dhe për faktin se mallrat që më herët janë prodhuar prej tyre tani importohen me çmime të ulëta. Padyshim se kësaj i ka kontribuar edhe mosinteresimi i të rinjve që ta trashëgojnë këtë traditë.

Dikur zejtaria ishte dega më e zhvilluar ekonomike në Kosovë. Argjendarë, artarë, rrobaqepës, orëtarë, zdrukthëtarë, farkëtarë, jorganxhi e shumë zeje të tjera, janë profesione që janë trashëguar nga prindërit te fëmijët. Përveç argjendarisë, zejet e tjera janë në zhdukje e sipër. Kurse ata që i ushtrojnë ende këto veprimtari, thonë se e bëjnë me shumë dashuri. Zejtarët thonë se duhet të kenë mbështetjen e institucioneve, meqë po përpiqen të mbajnë gjallë traditën.

Ndërkohë, zyrtarë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë theksojnë se kanë në agjendë mbështetjen e këtyre bizneseve, që janë në zhdukje e sipër. Kështu thotë për Radio Kosovën zëdhënësi i kësaj ministrie, Elhami Ismajli.

“MTI e ka në agjendë mbështetjen e grave në biznes dhe njëkohësisht mbështetjen e bizneseve që merren me artizanale e që janë biznese në rrezik të zhdukjes së tyre, dhe po ashtu duhet të theksojmë se MTI për çdo vit, edhe në vitin e kaluar, ka ndarë fond të veçantë për mbështetje të këtyre bizneseve”.

Ndërsa kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha për Radio Kosovën se problemi kryesor i këtyre biznese është qasja në financa.

“Çdo vend ka një numër të bizneseve që mbijetojnë dhe atyre që nuk mund t’i mbijetojnë tregut. Edhe Kosova është në mesin e këtyre bizneseve. Problemi kryesor është qasja në financa dhe qasja në treg. Këto janë dy kërkesat kryesore të tyre.”

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, thotë për radion tonë se të gjitha këto po bëhen për se tregu i Kosovës për çdo ditë po prodhon fuqi punëtore të pakualifikuar dhe për kualifikime të tyre po thuajse nuk ka ndonjë demonstrim të institucioneve, qoftë edhe shkollat profesionale apo shkolla të tjera, thotë ndër të tjera Agim Shahini. /Radio Kosova/Telegrafi/

Exit mobile version