Përfaqësuesit ndërkombëtarë në vend kanë kërkuar që rezultati i PISA-s të diskutohet edhe në Parlamentin e Kosovës. Ekspertë të arsimit thonë se politika ka rol vendimtar në degradimin e universiteteve në Kosovë, të cilët janë pjesë e ciklit vicioz të gjendjes katastrofike në arsimin kosovar
Pas rezultateve të dobëta në testimin e PISA-s për cilësinë e arsimit, Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar të mërkurën Planin Strategjik për Zhvillimin e Arsimit në Kosovë për periudhën pesëvjeçare (2017 – 2021).
Pavarësisht kësaj, përfaqësuesit ndërkombëtarë në vend kanë kërkuar që rezultati i PISA-s të diskutohet edhe në Parlamentin e Kosovës.
Zyra e BE-së në Kosovë, Bashkëpunimi Gjerman për Zhvillim, Agjencia Austriake për Zhvillim, Ambasada e Zvicrës dhe World Learning në Kosovë kanë lëshuar dje një deklaratë të përbashkët, duke shprehur shqetësimin lidhur me rezultatin në PISA.
“Si përfaqësues të komunitetit të donatorëve që mbështesin zhvillimin e Kosovës, ne presim që MASHT-i të sigurojë një diskutim të gjerë të rezultateve të PISA-s në Qeveri dhe në Parlament”, kanë theksuar ata, shkruan “Zëri”.
Testi i PISA-s tregoi se nxënësi mesatar kosovar i klasës së nëntë mund të krahasohet me një nxënës të klasës së gjashtë nga vendet e industrializuara për nga aftësia për ta zbatuar njohurinë e vet në zgjidhjen e problemeve praktike.
Por, ky veprim i Qeverisë nuk e mbulon dështimin e sistemit arsimor, që sipas analistëve, anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Arsim, sociologëve dhe SBASHK-ut ka ardhur edhe si pasojë e buxhetit të ulët që ndahet për arsim dhe moskërkimit të llogaridhënies.
Eksperti i arsimit, Xhavit Rexhaj, ka thënë për “Zërin” se rezultatet e PISA-s janë shkaktarë të problemeve të akumuluara me dekada në arsimin kosovar.
“Është mirë që Ministria ka lejuar mbajtjen e testit për të parë shkallën e degradimit të arsimit në Kosovë në të gjitha nivelet. Për cilësinë e dobët duhen fajësuar të gjitha nivelet dhe faktorët. Arsimi në Kosovë nuk merret seriozisht nga asnjëra palë. U bënë dhjetë vjet që në Kosovë pagat e arsimtarëve rriten në kohë të zgjedhjeve dhe pa asnjë kriter e asnjë dallim për të gjithë”, ka thënë Rexhaj për “Zërin”.
Foto: Ilustrim/Arkiv