Site icon Telegrafi

Shumë të lënduar dhe të arrestuar pas përleshjes masive në ndeshjen e Kupës në Marok

(Foto: Screenshot/Twitter)

Ndeshja e 1/8 së finales në Kupën e Fronit në Marok ndërmjet AS FAR Rabat dhe Maghreb de Fes ka degjeneruar në fund të takimit duke lënë shumë të lënduar dhe shumë arrestime.

Rreth 160 tifozë janë arrestuar të dielën (në mesin e të cilëve 90 nën moshën madhore) pas dhunës që shkaktoi shumë të lënduar – ka bërë të ditur policia marokene.

Në njoftim thuhet se tifozët e arrestuar janë përfshirë në akte të dhunës, posedonin thika, ishin të dehur, gjuanin gurë duke shkaktuar edhe dëme materiale, si dhe ua kanë vënë flakën automjeteve.

(Foto: Screenshot/Twitter)

Skuadra vendase, AS FAR, u eliminua me rezultat 0-2, ashtu që tifozët hynë në fushë për t’u përleshur me tifozët e Maghreb de Fes – transmeton L’Equipe.

Forcat e rendit u detyruan të ndërhynin për ta ndalur dhunën, ndërsa është njoftuar për 103 policë të lënduar dhe 57 tifozë.

(Foto: Screenshot/Twitter)

“Në këtë fazë të hetimeve janë identifikuar shumë dëme në objektet në stadiumin Moulay-Abdallah. Një motoçikletë është djegur dhe janë dëmtuar edhe 33 automjete policie dhe private”, kanë njoftuar autoritetet.

Komisioni Disiplinor i Federatës së Marokut do të mblidhet në fillim të javës dhe sipas mediave të atjeshme priten të ndërmerren sanksione. /Telegrafi/

https://twitter.com/MountakhabOf/status/1503057833109073926

Exit mobile version