Telegrafi

Më shumë se gjysma e sindikalistëve votojnë pro pezullimit të grevës në arsim

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ka publikuar rezultatet e votimit lidhur me vazhdimin ose pezullimin e grevës.

Sipas njoftimit, nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të sindikatës, pro pezullimin të grevës janë deklaruar 54.88 për qind, ndërsa kundër janë deklaruar 45.12 për qind.

“Nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të SBASHK-ut, që është 25.118 nga ta 314 janë në pushime të lindjes apo pushime pa pagesë.  Në deklarim kanë marrë pjesë 21.516 ose 86.91%, ndërsa nuk kanë  marrë pjesë në deklarim 3.288 ose 13.09%”, thuhet në komunikatën për media të SBASHK-ut.

“Nga të deklaruarit  pro pezullimit të përkohshëm të grevës (më së largu deri në janar 2023) janë deklaruar 11.809 ose 54.88% , ndërsa kundër pezullimit të grevës janë deklaruar 9.707 ose 45.12%”.

Këto shënime thuhet se do t’i dorëzohen Këshillit Grevist të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), për t’i bashkëngjitur me rezultatet e deklarime të anëtarësisë së Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës (SPAK), dhe pastaj do të shpallet vendimi lidhur me grevën. /Telegrafi/