Automjetet elektrike nuk janë mjeti i vetëm efektiv për reduktimin e emetimeve të karbonit të prodhuara nga industria e automobilave, njoftoi shoqata italiane ANFIA.
Teknologjitë e tjera mund të ndihmojnë gjithashtu në dekarbonizimin e industrisë, duke përmbushur të njëjtat qëllime teksa ruan njohuritë, përvojën dhe vendet e punës në Itali, tha të martën prodhuesi italian i veturave Paolo Scudieri, president i Shoqatës Italiane të Prodhuesve të Automobilave.
“Kam parasysh kontributin e mundshëm të prekshëm të biokarburanteve dhe lëndëve djegëse sintetike dhe hidrogjenit”, shpjegoi Scudieri, duke shtuar se industria italiane e veturave tashmë po investon shumë në hidrogjen.
Biokarburantet dhe lëndët djegëse sintetike formojnë një kategori e-karburanteve dhe po zhvillohen për të lejuar përdorimin e vazhdueshëm të versioneve të modifikuara të motorëve me djegie të brendshme, në vend të kalimit në automjetet elektrike komerciale (BEV).
Përqendrimi ekskluzivisht në teknologjinë BEV, e cila aktualisht dominohet nga prodhuesit aziatikë, do të rrezikonte rreth 73 mijë vende pune në Itali në vitet e ardhshme, dhe lëvizshmëria elektrike nuk do të kompensonte humbjen pasi vlerëson se do të krijojë vetëm rreth 6,000 vende të reja pune.
Scudieri shtoi se rreth 450 prodhues të pjesëve të makinave në Itali, nga 2200 gjithsej, mund të fusin çelësin në bravë sepse nuk kanë filluar as ta ridrejtojnë prodhimin në teknologjinë elektrike. /Telegrafi/