Telegrafi

Më shumë se 36 milionë njerëz të prekur nga coronavirusi në botë

Numri i të prekurve globalisht nga coronavirusi u rrit në 36 milionë, ndërsa deri më tani më shumë se një milion njerëz kanë ndërruar jetë nga sëmundja.

Vendi më i goditur në botë nga pandemia është SHBA-ja e cila ka regjistruar 7.6 milionë raste dhe 212 mijë të vdekur, bazuar në të dhënat zyrtare të Universitetit John Hopkins.

Ndërkohë, pas SHBA-së, vjen India me 6.9 milionë raste, pasuar me Brazilin i cili ka konfirmuar rreth pesë milionë të prekur.

Brazili për sa i përket bilancit të viktimave radhitet i dyti në botë me 148 mijë të vdekur.

Rritje të ‘frikshme’ të rasteve nga coronavirusi, janë parë së fundmi edhe në disa vende evropiane, sikurse në Francë, Britani të Madhe dhe në Itali.

Italia që dikur ishte epiqendra e pandemisë në Evropë raportoi gjatë ditës së djeshme 4,458 raste të reja nga virusi vdekjeprurës.

Para disa ditësh Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi se evropianët ishin “rraskapitur” nga pandemia, dhe se qytetarët po ndjehen të pa motivuar për t’i respektuar rregullat.

Kjo rraskapitje sipas OBSH-së, vjen pas përçarjes dhe pasigurisë që përjetuan banorët e Evropës gjatë gjithë këtyre muajve. /Telegrafi/