Site icon Telegrafi

Më shumë se 1,500 të arratisur nga një burg në Mozambik – në një trazirë që la 33 të vdekur dhe 15 të plagosur

Një trazirë në burg në kryeqytetin Maputo të Mozambikut la 33 të vdekur dhe 15 të plagosur, tha të mërkurën komandanti i përgjithshëm i policisë së vendit, Bernardino Rafael.

Rreth 1,534 njerëz u arratisën nga burgu, por 150 prej tyre tani janë rikapur, ka thënë ai, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Arratisja nga burgu vjen një ditë pasi të paktën 21 persona u vranë në trazirat që shpërthyen kur gjykata e lartë e Mozambikut konfirmoi të hënën fitoren e kandidatit presidencial të partisë në pushtet Frelimo, Daniel Chapo, në zgjedhjet e diskutueshme të tetorit.

Vendimi i Këshillit Kushtetues të Mozambikut shkaktoi protesta të reja mbarëkombëtare nga grupet e opozitës dhe mbështetësit e tyre, të cilët thonë se votimi ishte i manipuluar.

Të paktën 78 persona janë arrestuar deri më tani dhe masat e sigurisë janë forcuar në të gjithë vendin, tha ministri i Brendshëm Pascoal Ronda për transmetuesin publik TVM të martën.

Frelimo është akuzuar vazhdimisht nga kundërshtarët dhe vëzhguesit e zgjedhjeve për manipulim të votave.

Ronda tha se trazirat u drejtuan nga mbështetës kryesisht të rinj të kandidatit humbës Venancio Mondlane, i cili mori 24% të votave, pas kandidatit të partisë Frelimo Chapo me 65%. /Telegrafi/

Exit mobile version