Site icon Telegrafi

Më shumë se 1500 amerikanë, u bënë klandestinë pa dashje

Më shumë se 1500 amerikanë kaluan ilegalisht kufirin kanadez, por aksidentalisht dhe pa pasur synim që të emigronin në vendin fqinj.

Qindra pushues amerikanë po pluskonin mbi ujërat e lumit Shën Kleir me dyshekë me ajër si pjesë e festës tradicionale që zhvillohet në Portin Huron.

Por pushuesit nuk kishin llogaritur mirë forcën e erës që i shtyu në bregun tjetër të lumit që ndan shtetin amerikan të Miçiganit me Kanadanë.

Befas, në brigjet kanadeze të lumit u shfaqën qindra plazhistë të hutuar që pas aventurës aspak të këndshme mbi lumë nxituan që të hidheshin në breg.

Policia kanadeze e provincës së Ontarios tha se iu desh disa orë që të kthente pas në SHBA klandestinët e pavullnetshëm, ndërsa nuk kanë munguar as ndërhyrjet e Rojës Bregdetare për të shpëtuar disa prej tyre në nevojë.

Si pjesë e festës së Portit Huron, qindra njerëz me mjete nga më të ndryshme pluskojnë mbi lumë dhe lejojnë rrjedhën që t’i marrë me vete, përcjell TCH.

Por këtë herë ndërhyri era e fortë që i hodhi në shtetin fqinj.

Policia kanadeze tha se askush nuk mbeti i lënduar nga pushuesit dhe fatmirësisht askush nuk humbi. Autoritetet e Kanadasë gjithashtu thanë se pavarësisht shkeljes së jashtëligjshme të kufirit, nuk arrestuan asnjë prej pushuesve amerikanë.

Exit mobile version