Ricochet Anti-Cheat Team, që mbikëqyr komunitetin e video-lojërave Call of Duty, ka publikuar një raport ku përshkruhen detajet e luftës kundër mashtruesve në video-lojërat “Black Ops 6” dhe “Warzone”, si dhe planet për përmirësimin e integritetit të video-lojës gjatë vitit 2025.
Në raport theksohen shtresa të reja sigurie, sisteme të avancuara të zbulimit, si dhe përparime të rëndësishme në bllokimin e mashtruesve për të përmirësuar përvojën e lojës për lojtarët e ndershëm.
Ekipi Ricochet nënvizoi përkushtimin e tij për mbrojtjen e integritetit konkurrues të video-lojës.
Që nga nisja e sistemit Ranked Play, janë bllokuar më shumë se 136 mijë llogari në Black Ops 6 Multiplayer dhe Warzone për shkak të mashtrimit. Ky fakt tregon qasjen agresive të ekipit ndaj mashtruesve.
Modelet e përmirësuara të zbulimit janë fokusuar në identifikimin e mashtruesve që përdorin “aim bot” dhe mjete të tjera të ndaluara. Ekipi analizon të dhëna si nivelet e besimit të llogarive dhe identifikuesit e pajisjeve hardware për të zbuluar me efektivitet mashtruesit e përsëritur.
Për të përshpejtuar veprimet kundër mashtruesve, ekipi ka avancuar mjetet që zvogëlojnë kohën e nevojshme për verifikim. Sisteme të reja tashmë janë aktive dhe mund të identifikojnë dhe paralajmërojnë për raportime të rreme. Raportimi i rremë është shkelje e rregullave të sigurisë dhe përdorimit të lojës, sipas ekipit.
Sistemi nuk merr parasysh më shumë se një raportim për të njëjtin lojtar dhe gjithashtu trajton problemet e dezinformatave të përhapura nga zhvilluesit e mashtrimeve.
Një tjetër sistem shënon llogaritë që bashkëpunojnë me mashtrues të njohur. Kur një mashtrues bllokohet, sistemi identifikon dhe heton llogaritë e lidhura për të luftuar sjelljet e paligjshme.
Në përgjigje të pyetjeve nga komuniteti, Ricochet sqaroi arsyet për mos përdorimin e bllokimit bazuar në IP.
Bllokimi bazuar në IP ka prirjen të penalizojë një grup të tërë lojtarësh të pafajshëm”, shpjeguan ata, duke përmendur shembuj si kampuset ose kafenetë e internetit, ku vetëm një kompjuter mund të jetë problematik.
Janë njoftuar edhe sisteme të reja anti-cheat, të cilat do të prezantohen në fillim të këtij viti gjatë Sezonit 2, që nis më 28 janar.
Si pjesë e planit afatgjatë, Ricochet po prezanton teknologji të reja për autentifikimin e lojtarëve të ndershëm, ndërsa mashtruesit do të jenë në shënjestër. Detajet për këto teknologji mbeten sekrete për të penguar zhvilluesit e mashtrimeve, por ekipi premtoi informacione të mëtejshme në të ardhmen. /Telegrafi/