Joe Biden ka thënë se qeveria e tij do të mbështesë shtetet e prekura nga uragani Helene, pasi stuhia shkatërruese la më shumë se 100 njerëz të vdekur në juglindje të SHBA-së.
Presidenti amerikan u deklarua rreth uraganit ndërsa 600 njerëz mbeten të pagjetur pasi Helene la gjurmë shkatërrimi në disa shtete – me vdekje të raportuara në Florida, Gjeorgji, Karolinën e Veriut dhe Jugut dhe Virginia.
Bëhet e ditur se autoritetet janë ende duke luftuar për të siguruar ujë dhe furnizime të tjera në zonat e prekura nga përmbytjet.
Biden tha se ka folur me guvernatorët e Gjeorgjisë dhe Karolinës së Veriut dhe se ai pret të vizitojë zonat e prekura nga uragani më vonë këtë javë, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
Ai shtoi se ai “mund të duhet të kërkojë” që Kongresi të mbajë në një seancë speciale për të miratuar një paketë financimi për të ndihmuar të prekurit.
“Ne do të jemi atje me ju për aq kohë sa të duhet”, tha Biden.
“Administrata Biden-Harris do të jetë atje derisa puna të përfundojë”, shtoi lideri amerikan.
Ndryshe, Biden foli disa ditë pasi uragani i kategorisë 4 goditi brigjet e Floridës me erëra 225 km/h përpara se të godiste edhe shtetet e tjera.
Stuhia shkaktoi përmbytjet më të këqija në një shekull në Karolinën e Veriut – me 30 njerëz të vdekur në kontenë Buncombe.
Guvernatori i Karolinës së Veriut, Roy Cooper parashikoi se numri i vdekjeve në shtet do të rritej pasi punonjësit e urgjencës arritën në zonat e izoluara nga rrugët e shembura, infrastruktura e thyer dhe përmbytjet.
Furnizimet po transportohen me aeroplan në rajonin rreth qytetit të izoluar të Asheville. /Telegrafi/