Pas pranimit në UEFA, futbollin e Kosovës e pret punë e madhe, duke filluar nga infrastruktura sportive, klubet dhe përfaqësueset.
Kështu mendojnë trajnerët dhe njohësit e futbollit të Kosovës. Ish-futbollisti i shquar i Kosovës, Muharrem Sahiti i ka thënë KosovaPress-it se tani futbollin në Kosovë e presin sfida të mëdha. Ai mendon se tani ka ardhur koha që të punohet në mënyrë profesionale, sidomos nëpër klubet tona, derisa sa sipas tij, tek përfaqësuesja është bërë punë shumë më e mirë.
Sahiti thotë se sa më shpejtë duhet të punohet në rregullimin e infrastrukturës sportive, e cila akoma nuk është në nivelin e duhur.
“Tash na pret punë edhe më e madhe, derisa ka qenë pranimi është dashur të merrem më punë tjera, pas pranimit tash na pret një punë, një angazhim profesional dhe një obligim që kemi për klubet dhe përfaqësuesen që ta përfaqësojnë Kosovën në mënyrën sa më të mirë. Në fakt ne më përfaqësuese kemi punuar sikur të ishim të pranuar, kështu që na mbetet edhe pak punë që t’i koordinojmë gjitha elementet që e përbejnë një përfaqësues dhe te kemi paraqitje sa më të mirë”, ka thënë Sahiti. “Sido qoftë kjo që ka ndodh në Budapest, unë mendoj se ka qenë një arritje shumë e madhe për futbollin që na ka hap dyert, sidomos për lojtarët e rinj që të marrin pjesë në arenën ndërkombëtare. Jemi ku jemi, unë e kam thënë ma herët se më infrastrukturë nuk qëndrojmë mirë, por është duke u bërë punë, por ajo merr kohë”, ka shtuar më tej.
Ndërkaq, ish-futbollisti i njohur, Eroll Salihu, aktualisht sekretar i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), mendon se pas pranimit në UEFA, hapi tjetër është FIFA. Salihu beson se Kosova do të pranohet në FIFA, e më pas të nisin përgatitjet për daljen në arenën ndërkombëtare. Ai thotë se ka shumë punë për t’u bërë si infrastruktura sportive, tek klubet e administrata sportive për të përmbushur kriteret që kërkon UEFA e FIFA.
“Pas pranimit në UEFA hapi tjetër është pranimi në FIFA. Përgatitjet kanë filluar, sepse është pas një jave. Përveç kësaj përgatitjet që duhet të marrim pjesë në garat evropiane, përgatitjet për stadiumin, administratës, pra ka shumë punë”, ka thënë Salihu. Ne duhet t’ia fillojmë disi pastaj dalë nga dalë edhe klubet e kuptojnë së duhet t’i plotësojnë kriteret që UEFA i kërkon, përndryshe nuk merr pjesë në gara. Ne do të jemi përkrah klubeve, përkrah përfaqësueseve tona, ajo që është më rëndësi duhet të behët formatizim edhe në ligat rajonale të futbollit dhe në asketin e futbollit të rinjve, kështu që dalë nga dalë , por sigurt do t’i kryejmë këto punë”, ka shtuar ai.
E edhe Bakir Burri, një tjetër ish-futbollist mendon se Kosova nuk është aq e gatshme për sfidat ndërkombëtare, sidomos për shkak të infrastrukturës sportive, por ai beson së do të intervenohet në këtë drejtim dhe më kohë, Kosova do të jetë e gati për paraqitjet në rrafshin ndërkombëtar. Burri thotë se sa i përket cilësisë tek përfaqësuesja e Kosovës, Kosova ka potencial të mirë për paraqitje në nivel ndërkombëtare, madje, ai mendon se me ardhjen e mundshme të futbollistëve tonë që luajnë në shtete e huaja, Kosova nuk do të ketë frike për garat ndërkombëtare.
Ndërkohë, gazetari i sportit, Gani Kosumi mendon se më pranimin e Kosovës në UEFA, futbollistët tonë do të kenë mundësi t’i tregojnë cilësitë në rrafshin ndërkombëtar. Por, edhe Kosumi thotë se sa më shpejtë duhet të intervenohet në infrastrukturën sportive. Sipas Kosumit, për nga kualiteti futbolli ynë është i nivelit të rajonit. Ai është i bindur se pas pranimit në UEFA, Kosova do të jetë edhe në FIFA.