Konkursi i sivjetshëm për regjistrim në shkollat e mesme i publikuar ditë më parë nga Ministria e Arsimit sërish ka shtuar numrin e paraleleve me mësim në gjuhën maqedonase ndërsa ato me mësim në gjuhën shqipe janë thuajse të njëjta. Në konkursin për vitin shkollor 2016-17, qëndron se në shkollën e mesme “Cvetan Dimov” parashikohet pranimi gjithsej i 408 nxënësve të ndarë në 12 paralele, prej tyre 9 paralele me mësim në gjuhën shqipe, 2 në gjuhën maqedonase dhe 1 paralele me mësim në gjuhën turke, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Ndërkohë Alsat-M kupton se në kërkesën e përgatitur nga shkolla në fjalë për hapjen e paraleleve ishte shtruar nevoja vetëm për një paralele në gjuhën maqedonase. Gjithashtu, kërkesa me këtë numër të paraleleve është miratuar edhe nga Qyteti i Shkupit për t’iu dorëzuar më pas Ministrisë së Arsimit prej ku edhe ka vijuar ndryshimi i numrit të paraleleve me mësim në gjuhën maqedonase.
Shkolla e mesme e qytetit të Shkupit “Cvetan Dimov”
408 nxënës 12 paralele
68 nxënës 2 paralele me mësim në gj. maqedone
306 nxënës 9 paralele me mësim në gj. shqipe
34 nxënës 1 paralele me mësim në gj. turke
Gjithashtu mësojmë se edhe në shkollën e mesme të qytetit “Arseni Jovkov” është rritur me një paralele shtesë mësimi në gjuhën maqedonase. Nga informacionet që morëm nga kjo shkollë, kërkesa ishte përgatitur për hapjen e 16 paraleleve, 8 me mësim në gjuhën maqedonase dhe 8 me mësim në gjuhën shqipe, ndërkohë që në konkursin e publikuar ditë me parë qëndron se janë lejuar 9 paralele me mësim në gjuhën maqedonase dhe 8 në gjuhën shqipe.
Shkolla e mesme e qytetit të Shkupit “Arseni Jovkov”
578 nxënës 17 paralele
306 nxënës 9 paralele me mësim në gj. maqedone
272 nxënës 8 paralele me mësim në gj. shqipe
Nga hulumtimet e bëra në atë kohë u kuptua se paralelet maqedonase plotësohen me nxënës shqiptar ose kanë numër shumë më të vogël të nxënësve krahasuar me paralelet shqiptare të cilat kalonin numrin 42 nxënës./Telegrafi/