Telegrafi

Shumë pak çifte regjistrojnë prona të përbashkëta

Ka 18 vjet martesë dhe asnjëherë më parë nuk kishte dëgjuar rreth të drejtës për të qenë pronare e shtëpisë së bashku me të burrin.

M.B. nga Fushë-Kosova thotë se e gjithë pasuria që ka familja e saj është e regjistruar në emrin e burrit dhe djalit të madh. Thotë se tani që e di se ka të drejtë, do të kërkojë që të jetë bashkëpronare.

“Kur të vdes unë le ta marrë djali shtëpinë, unë do të kërkoj me qenë në emrin tim, do ta kërkoj edhe nëse ndahem prej burri”, është shprehur M.B, shkruan Koha Ditore.

Megjithatë, shumica e grave në Kosovë vazhdojnë të mos jenë të informuara në lidhje me të drejtat e tyre për bashkëpronësi dhe trashëgimi familjare.

Ato vazhdojnë të ndiejnë peshën e kulturës dhe të traditës, sipas të cilave burrat janë ata që duhet ta bartin barrën e përgjegjësisë në pasuri.

Për t’u ngritur vetëdijesimi tek gratë, për të drejtat e tyre në regjistrimin e pronës, së fundi është lansuar fushata “ Për të mirën tonë”, e cila është pjesë e projektit të korporatës gjermane – GIZ “Menaxhimi i Tokës/Kadastër”. /Telegrafi/