Carlo Ancelotti ka njoftuar planin e tij për të dërguar lojtarët e tij me pushime gjatë sezonit.
Përpara ndeshjes së parë të sezonit të ri në Mallorca, trajneri i Real Madridit tha se rritja e qëndrueshme e ndeshjeve në ligë dhe ndërkombëtare në kalendar po i bënte lojtarët e tij më të lodhur.
“Lojtarët kanë nevojë për më shumë pushim”, deklaroi Ancelotti në konferencë për media.
“Ne po mendojmë t’u japim disa pushime lojtarëve gjatë sezonit. Një javë ose më shumë për ta kaluar me familjet. Sidomos për lojtarët që luajnë me kombëtaret”.
“Për shembull, pasi Vini luan dy ndeshje me Brazilin, ai kthehet në Madrid dhe ndoshta pushon për një ndeshje në La Liga. Kështu mund ta bëjmë. Ne duhet t’u japim lojtarëve tanë më shumë pushim”, potencoi më tej italiani.
Këtu mund të përfitojë realisht Real Madrid në dy mënyra. Së pari, disa lojtarë kyç ruajnë freskinë e tyre fizike, gjë që është veçanërisht e rëndësishme tani që ka më shumë ndeshje gjatë sezonit; së dyti, Carlo do të jetë në gjendje të miksojë skuadrën e tij dhe t’i garantojë çdo lojtari të rëndësishëm kohë të mjaftueshme për lojë.
Le të shohim nëse Ancelotti do të eksperimentojë tashmë pas pushimit ndërkombëtar të shtatorit. /Telegrafi/