Telegrafi

Më shumë lot se sa fjalë – Luis Suarez i thotë lamtumirë Barcelonës

Luis Suarez ka shpërthyer në lot disa herë në konferencë për media të organizuar për nder të tij, pasi uruguaiani i dha fund një epoke prej gjashtë vitesh te Barcelona.

Ai shprehu mirënjohje për besimin që i kishte dhënë klubi, ndërsa tani do të vazhdojë karrierën te Atletico Madrid.

Ai uli perden në Nou Camp duke thënë se ai do të jetë gjithmonë tifoz i klubit.

 

Fillimisht ai e kishte të vështirë të fliste, por e pranoi se Barcelona kishte “nevojë për ndryshime” dhe trajneri i ri Ronald Koeman nuk kishte besim tek ai.

Kur flitë për besimin e klubit, ai u kthye në kohën kur Barcelona nënshkroi me të nga Liverpooli në verën e 2014 pavarësisht kafshimit të tij ndaj Giorgio Chiellini në Kupën e Botës, që e dënoi me katër muaj moslojë.

“Klubi gjithmonë ka pasur kaq shumë besim tek unë që nga viti 2014 kur më morën”.

“Klubi më besoi duke ditur edhe kushtet që erdhën pas gabimit që unë bëra”.

 

“Kur unë erdha këtu, ata më rrethuan me besim, nuk ishte e lehtë për mua, por trajnerët dhe shokët e skuadrës, mënyra se si më pranuan kur erdha, ishte e mahnitshme”.

‘Të gjithë njerëzit e dinë sakrificën që unë bëra në këto vite për të ardhur në Barcelonë dhe për të luajtur për ekipin më të mirë në botë. Jam i vetëdijshëm që jemi në fund të një epoke, por duhet të jem shumë krenar për gjithçka që kemi bërë”.

 

Suarez e pranoi se ishte trajneri i ri i Barcelonës, Ronald Koeman që nuk e donte atë si pjesë të ekipit të tij.

“Klubi kishte nevojë për ndryshime dhe trajneri nuk llogariste tek unë. Dua të tregoj se akoma mund të performoj në një nivel të lartë”.

“Unë po bashkohem me Atletico Madridin me shumë entuziazëm, por ende nuk kam menduar se si do të jetë të luash kundër Barcelonës”, ka thënë ai.

 

Barcelona dhe Atletico Madridi do të takohen për ndeshjen në La Liga fillimisht në në “Wanda Metropolitano” më 22 nëntor, ndërsa ndeshja e kthimit zhvillohet  në Nou Camp më 9 maj të vitit të ardhshëm. /Telegrafi/