Sipërmarrjet e vogla e të mesme, me më pak se 249 persona të punësuar, konsiderohen si burim rritje për ekonominë e Bashkimit Europian, duke krijuar vende pune dhe kontribuar në rritjen e Produktit të Brendshëm Bruto.
Këto japin gjithashtu kontribut të madh në tregti brenda Bashkimit Europian. Sipas Eurostat, 98% e kompanive që tregtojnë mallra brenda BE janë sipërmarrje të vogla e të mesme.
Gjysma e vlerës së tregtisë brenda Bashkimit Europian në mallra vjen nga SME-të, apo saktësisht 51% të importeve dhe 45% të eksporteve brenda vendeve anëtare. Në vendet anëtare, sipërmarrjet e vogla e të mesme kanë kontributin më të madh në eksportet brenda Bashkimit Europian krahasuar me vlerën totale në Qipro, me 88%, ndjekur nga Letonia me 81% dhe Belgjika me 70%.
Duke ndarë klasifikimin e SME-ve, sipërmarrjet mikro, me 0-9 persona të punësuar, janë kontribuesit më të mëdhenj në Belgjikë, ku këto përbëjnë 46% të totalit të vlerës së eksporteve brenda BE.
Në të gjithë vendet anëtare, më shumë se 90% e kompanive që eksportojnë brenda Bashkimit Europian klasifikohen të vogla e të mesme, me 90% në republikën çeke dhe 99% në Slloveni. /Telegrafi/