Telegrafi

Shumë klube pas tij, Angers i vendos çmimin sensacionit Azzedine Ounahi

Azzedine Ounahi ka qenë sensacioni i Kampionatit Botëror ‘Katar 2022’ me Përfaqësuesen e Marokut.

Mesfushori i talentuar maroken ka shkëlqyer në mesfushë duke zgjuar interesimin e shumë skuadrave të mëdha evropiane.

22-vjeçari dominoi ndaj emrave të mëdhenj në mesfushë sa i kishte kundërshtar, derisa ai pritet në janar të bëj hapin e madh në karrierën e tij.

Ounahi ka zhvilluar 14 ndeshje në elitën e futbollit francez Ligue 1 ku ka shkëlqyer në mesfushë.

Atletico Madrid, Barcelona, Torino, Leicester City, Arsenal, Tottenham Hotspur, Fiorentina, Inter, Napoli, Borussia Dortmund, Olympique Marseille e Sevilla kanë shprehur interesim për transferimin e marokenit.

Angers nuk mund ta ndalë në radhët e veta Ounahin përkundër se ai ka një kontratë afatgjate deri në vitin 2026, pasi lojtari dëshiron një hap para në karrierë.

Megjithatë klubi francez i ka bërë të qartë skuadrave të interesuara se për ta lënë të lirë Ounahin dëshiron 25 milionë euro.

Një shumë jo e lartë për një mesfushor të ri dhe shumë perspektiv. /Telegrafi/