Rrugëtimin e tyre deri në shkollë fëmijët e lagjes ‘Qëndresa’ e bëjnë me kombi-busë të stërmbushur.
Shumë nga ta qëndrojnë në këmbë dhe për këtë, janë në dijeni edhe prindërit e tyre të cilët vetë aranazhojnë transport të veçantë, raporton emisioni 038 i KTV-së.
20 euro për një fëmijë paguajnë prindërit që ata të kenë një ulëse, edhe pse shpesh ata qëndrojnë në këmbë.
Prindërit thanë se janë të vetëdijshëm për rrezikun që u kanoset fëmijëve të tyre, por nuk kanë mënyra të tjera transportuese.
Policët thonë se shpesh ndalin këto vetura për transport të veçantë siç është ai i fëmijëve dhe kur ka më shumë fëmijë se sa ulëse shqiptojnë gjoba nga 25 deri ne 35 euro apo në dërgim të lëndëve në gjykata.
Drejtoria e Arsimit në Prishtinë paguan vetëm transportin e nxënësve që e kanë shkollën më larg se 4 kilometra.
Për prindërit që financojnë vetë transportin, komuna në bazë të rregullores për transportin rrugor në territorin e Komunës së Prishtinës, përcakton se lejen e jep vetë komuna, ku operatori duhet ta prezantojë edhe listën e udhëtarëve, transmeton Koha.net.
Por, ky numër tejkalohet dhe nuk është në bazë të lejes së dhënë në bazë të nenit 18. E nëse ndalohet nga inspektorati komunal i komunikacionit, operatori mund të gjobitet në vlerë prej 100 deri në 2500 eurosh.