Telegrafi

“Shumë e mundur” që Harris të fitojë zgjedhjet në SHBA, thotë Scholz i Gjermanisë

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka thënë se beson se është “shumë e mundur” që Kamala Harris të fitojë zgjedhjet në SHBA, por nuk ka shprehur ndonjë mbështetje për të.

“Fushata zgjedhore në SHBA sigurisht që do të jetë emocionuese, tani me një formacion pak të ri dhe një plejadë të re”, citohet të ketë thënë Scholz në një konferencë vjetore për shtyp të verës, shkruan Sky News, përcjell Telegrafi.

“Unë mendoj se është shumë e mundur që Kamala Harris të fitojë zgjedhjet, por votuesit amerikanë do të vendosin”.

Udhëheqësi gjerman tha gjithashtu se ai e kishte takuar zonjën Harris disa herë dhe ajo ishte një politikane “kompetente” dhe “me përvojë”.

Scholz kishte qenë i drejtpërdrejtë në “miratimin” e tij për Joe Biden përpara se presidenti të hiqte dorë nga gara për rizgjedhje fundjavën e kaluar.

Ndryshe, pas vendimit të presidentit Joe Biden për të hequr dorë nga gara presidenciale, zëvendës-presidentja Kamala Harris është shfaqur si favoritja e partisë për ta zëvendësuar atë. /Telegrafi/