Opozita dhe analistët politikë kritikojnë partnerët e koalicionit qeverisës se nuk i kanë mbajtur premtimet për punësime, liberalizim të vizave, për anëtarësim në UNESCO, etj. Ndërsa, zyrtarët qeveritarë si sukses përmendin nënshkrimin e MSA-së.
As 100 mijë punëtorë të rinj nuk janë punësuar gjatë mandatit dyvjeçar të qeverisë “Mustafa” ashtu siç kishin premtuar partnerët e koalicionit qeverisës në fushatën zgjedhore të vitit 2014 e as nuk u janë hequr vizat kosovarëve me Bashkimin Evropian (BE).
Në fushatën e fundit për zgjedhjet parlamentare kryeministri, Isa Mustafa, kishte premtuar hapjen e 120 mijë vendeve të reja të punës gjatë mandatit katërvjeçar të Qeverisë, ndërsa shefi i PDK-së në atë kohë, Hashim Thaçi, 200 mijë vende pune.
Pikërisht kur kryeministri Isa Mustafa ka bërë dy vjet në krye të ekzekutivit të vendit, partitë opozitare dhe analistët politikë numërojnë shumë dështime të kësaj Qeverie, madje kjo e fundit, siç thonë ata, është më e dobëta që nga paslufta.
Ndërsa, zyrtarët qeveritarë thonë se gjatë dy vjetëve të para Qeveria e Kosovës ka pasur shumë rezultate pozitive, duke e përmendur nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim me BE-në, etj. /Zëri/