Site icon Telegrafi

Shumë dëshira për një trofe

Sezoni pranveror pritet ta sjellë një luftë shumë të madhe për titullin e kampionit në Superligën e futbollit.

Ky paralajmërim vjen nga strategu Ramiz Krasniqi, sipas të cilit, të paktën katër skuadra do të luftojnë deri në fund të kampionatit për trofeun kryesor. Ish-trajneri i Prishtinës dhe Feronikelit thotë se përveç favoritit kryesor, “Niklit”, për titull do të luftojnë me të madhe edhe Hajvalia, Besa dhe Trepça ’89, por në këtë luftë nuk e parasheh Prishtinën e përforcuar.

“Sezoni pranveror pres që të jetë tejet interesant. Në luftë për titull të kampionit besoj se do të jenë katër ekipe të cilat kanë dëshmuar se kanë cilësi gjatë fazës së parë të kampionatit. Feronikeli, Hajvalia, Besa dhe Trepça 89’ janë ekipe të cilat do të luftojnë këtë edicion për titullin e kampionit”, thotë Krasniqi. Ai nuk pret ndonjë befasi sa i përket vendit të parë. “Nuk pres që ndonjë ekip tjetër të futet në luftë për titull të kampionit apo ndonjë befasi, duke parë që ky afat kalimtar ishte i varfër në aspektin e transferimeve të lojtarëve cilësorë, kur dihet se ekipet që luftojnë për trofe, i kanë mbajtur shumicën e lojtarëve kryesorë”, tha ai, transmeton Zëri.

Krasniqi: Ushtroni larg Kosovës

Shumë ekipe po e shfrytëzojnë maksimalisht pushimin dimëror për t’i mbushur bateritë për pjesën e dytë të kampionatit. Ato po përgatiten tashmë edhe jashtë shtetit. Sipas Ramiz Krasniqit, ekipet që po shkojnë jashtë vendit do t’ua shohin hairin këtyre përgatitjeve.

“Është tejet e dobishme që ekipet të kryejnë një fazë përgatitore jashtë vendit. Kjo pasi që trajneri ka më shumë mundësi të njoh lojtarët nga afër dhe t’i mbaj të bashkuar si grup. Më pas vijnë faktorët tjerë, zhvillohen mbi pesë ndeshje miqësore dhe shihen mangësitë e ekipet gjatë këtyre përgatitjeve, etj”, potencoi Krasniqi. Ai uron që të gjitha ekipet e Superligës të gjejnë mundësinë për t’u përgatitur jashtë vendit. “Normalisht, shkuarja për përgatitje jashtë vendit varët shumë nga mundësitë financiare. Do të ishte mirë që secili ekip të shkojë në përgatitje jashtë Kosovës”, tha ai.
 

Exit mobile version