Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar sot se të gjitha kuzhinat në kazermat e FSK-së janë duke funksionuar si çdo ditë tjetër.
Ministria e Mbrojtjes tutje bën të ditur se pjesëtarëve të FSK-së janë duke iu shërbyer shujtat ditore të zakonshme, ndërkaq i vetmi dallim sipas Ministrisë është që ushqimi është përgatitur nga kuzhinierët e huazuar nga Qendra Studentore si dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës.
“Kjo do të jetë periudhë tranzitore afatshkurtër, deri në rekrutimin e stafit profesional. Synimi i Ministrisë së Mbrojtjes është që përmes procesit të rekrutimit të kuzhinierëve sa më parë të vendosim vet-qëndrueshmëri dhe mos varësi nga proceset e stërzgjatura të prokurimit si dhe nga operatorët ekonomik të pakët në Kosovë që mund të ofrojnë shërbime të tilla, duke i dhënë zgjidhje një herë e mirë një problemi të kamotshëm”, thuhet në njoftim.
Një ditë më parë u raportua për skadimin e kontratës me kompaninë që përgatit ushqimin për pjesëtarët e FSK-së.
Lidhur me këtë, edhe kompania ka bërë sot një reagim. /Telegrafi/