Site icon Telegrafi

Shuhet zjarri në Veternik, kishte kapluar edhe Emshirin

Zjarri që përfshiu një zonë të madhe nga lagjja Veternik deri në Emshir është shuar.

Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve të Prishtinës, Malë Gashi, ka konfirmuar se zjarri është shuar plotësisht në orën 14:40.

“Nga zjarri është përfshirë një zonë e madhe nga Veterniku në Emshir. Zjarri është shuar”, tha ai.

Ndërkohë, më herët gjatë ditës, zjarri kishte kapluar një pjesë të Veternikut, për të cilin dyshohet se është shkaktuar nga pakujdesia. Zjarrfikësit ishin në terren për ta lokalizuar dhe shuar flakën.

Një tjetër vatër zjarri u regjistrua pranë daljes nga autostrada drejt Prishtinës, ku u pa një sasi e madhe tymi para se zjarrfikësit të ndërhynin për ta shuar.

Zjarri në malet e Deçanit nën kontroll

Ndërkohë, Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka njoftuar se flakët në malet e Deçanit janë nën kontroll.

“Sipas raporteve të pranuara nga Qendrat Operative Emergjente 112, është vërejtur një shtim i rasteve të zjarreve në nivel vendi. Një nga zjarret më të mëdha është regjistruar në Komunën e Deçanit, në vendin e quajtur ‘Çeli’, ku janë përfshirë sipërfaqe të mëdha me gështenja dhe shkurre”, thuhet në njoftim.

Forcat e NJPZSH-Deçan dhe NJPZSH-Junik, pjesëtarë nga Agjencia Pyjore dhe vullnetarë janë mobilizuar për ta vënë situatën nën kontroll.

Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka apeluar për kujdes të shtuar nga qytetarët, duke shmangur ndezjen e zjarreve në natyrë dhe raportimin e rasteve të dyshimta në numrin emergjent 112.

Në lidhje me zjarrin në Bjeshkët e Deçanit, kryetari i Komunës, Bashkim Ramosaj, u ka bërë thirrje qytetarëve për ndihmë në shuarjen e flakëve.

Exit mobile version