Një prej shkrimtarëve më të mëdhenj amerikanë, Philip Roth, ka ndërruar jetë në moshën 85-vjeçare. Fitues i çmimit “Pulitzer”, Çmimit Kombëtar të Librit dhe çmimit ndërkombëtar “Man Booker”, ai është frymëzuar për veprat e tij nga jeta e familjeve hebreje, seksi dhe idealet amerikane. Mes veprave të tij janë “American Pastoral”, “I Married a Communist” dhe “Portnoy’s Complaint”. “New York Times” raportoi edhe shkakun e vdekjes, bazuar nga rrëfimi i një miku të ngushtë të Rothit, që ishte pushimi i zemrës si pasojë e bllokimit.
Roth nisi rrugën e suksesit përmes një koleksioni tregimesh të shkurtra, “Goodbye Columbus”, të publikuar në vitin 1959. Një dekadë më vonë, novela e tij kryesisht seksuale “Portnoy’s Complaint” (Ankimi i Portnoit) e katapultoi atë drejt famës, duke e bërë një nga më të shquarit në Shtetet e Bashkuara.
Në vitet e mëvonshme të jetës, ai shkroi edhe një sërë novelash historike, përfshi veprën e vitit 1997 “American Pastoral”, për të cilin fitoi edhe çmimin “Pulitzer”. Gjatë karrierës së tij ka botuar mbi 30 libra, përpara se t’i jepte fund karrierës së pasur në vitin 2009.
Vdekja e Rothit vjen vetëm një javë pas shuarjes së një tjetër peshe të madhe si Tom Wolfe, autor i “Bonfire of the Vanities”, që ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare. /TCH/