Telegrafi

Shuarja e zjarrit në pyjet pranë Berlinit problem për zjarrfikësit, shkak municioni i mbetur në zonën që dikur shërbente si terren për stërvitje ushtarake

Në shtetin federal të Brandenburgut në lindje të Gjermanisë, zjarret në pyje u ndezën sërish sot në një sipërfaqe totale prej rreth 150 hektarësh, dhe një rrezik të veçantë përbëjnë municionet e mbetura në një zonë që dikur shërbente si terren stërvitje ushtarake.

“Për momentin zjarri po shpërthen në një sipërfaqe prej rreth 8 hektarësh”, tha shefja e zyrës për planifikimin komunal të qytetit Jueterbog, Christiane Lindner-Klopsch, transmeton Telegrafi.

Në rindezjen e zjarrit ka kontribuar era e fortë që prej të dielës në këtë zonë. Ndërkohë, shërbimi zjarrfikës po përpiqet të përcaktojë shkallën e zjarrit me ndihmën e dronëve.

Komisioneri i shtetit federal të Brandenburgut, Raimund Engele, nuk pret që situata të qetësohet në një të ardhme të afërt.

“Shiu i pakët që është paralajmëruar nuk do ta lehtësojë situatën. Kjo zonë vuan prej vitesh nga thatësira”, tha Engele.

Shuarja e zjarrit vështirësohet nga rreziku i municioneve të mbetura në këtë zonë në jug të Berlinit, e cila shërbeu si terren trajnimi ushtarak gjatë Gjermanisë Lindore. /Telegrafi/