Telegrafi

Shtyrja e zgjedhjeve lokale do të paralizonte ekonominë e komunave (Video)

Shtyrja e zgjedhjeve lokale do të shkaktonte kaos në komuna dhe do t’i jepte goditje të fuqishme ekonomisë së vendit. Autoritet kompetente për momentin nuk zbardhin se si do të funksiononte vetëqeverisja lokale dhe nëse kryetarëve dhe këshilltarëve aktual në komuna u skadon mandati përpara se të zgjidhen pasardhësit e tyre.

Kryetari i Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, Koce Trajanovski për Alsat-M theksoi se do të kërkojë mendim nga institucionet kompetente, meqë ligji për vetëqeverisje lokale nuk parashikon një situatë të këtillë.

Nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale nuk kanë sqarim konkret. Ata bëjnë të ditur se ligji parashikon që kryetari i sapozgjedhur ta marrë përsipër postin në afat prej 7 ditëve pas zgjedhjes së tij. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se kryetari aktual guxon të ushtrojë postin e tij edhe pas skadimit të mandatit.

Ekonomistët druajnë se shtyrja e zgjedhjeve lokale dhe zbrazëtira juridike do të jetë shumë e dëmshme për ekonominë e vendit. Kriza ka zgjatur shumë, ndërsa problemi i ri që do të shkaktojë do të paralizonte ekonominë.

Mbetet e paqartë si do të realizohen projektet komunale dhe pagat në institucionet nën kompetenca të komunës nëse zgjedhjet lokale nuk mbahen në afatin e paraparë ligjor.