Kryenegociatori serb, Borko Stefanovic është tërhequr nga elemente të gjashtë projektmarrëveshjeve për të cilat palët ishin pajtuar në parim gjatë bisedimeve në Bruksel, shkruan Express.
Stefanovic ka kërkuar nga lehtësuesi i BE-së, Robert Cooper dhe shefja e Delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri që takimi i radhës i caktuar të mbahet më 14 dhe 15 qershor të shtyhet për dy javë.
Kryenegociatori serb ka njoftuar palët me qëndrimin e Qeverisë së tij gjatë një videokonference që është mbajtur të mëkurën.
Stefanovic është tërhequr nga elemente të zgjidhjeve për Lëvizjen e lirë, tregtinë e lirë, energjetikën, telekomunikacionin dokumentacionin kadastral dhe regjistrat civil. Shefja e delegacionit kosovar tha se pala serbe është tërhequr edhe nga propozimet e veta për disa nga çështjet e diskutuara.
“Ata mund të mendojnë se po bëjnë lëvizje taktike, por ky dialog është serioz, është i mbështetur nga BE-ja, SHBA-të dhe gjithë aleatët botëror. Mendoj se Serbia duhet të sillet konform gjithë seriozitetit që ka dialogu teknik. Fundja, pala serbe e ka të qartë . Ky dialog sa është i lidhur me jetët e qytetarëve aq më shumë është i lidhur me afrimin me BE-në dhe kjo kërkon nga Serbia të jetë konsekuente dhe të kontribuojë për rezultat e dialogut teknik”, ka thënë ajo.
Pavarësisht sabotimit të dialogut nga Beogradi, Tahiri thotë se proces nuk do të ndalet.
Ndryshimi radikal i qëndrimit të Beogradit në dialogun me Prishtinën mund të ndërlidhet me pritjet e Serbisë për të marrë statusin e shtetit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Stefanovic është tërhequr nga projektmarrëveshjet të njëjtën ditë kur Parlamenti i Holandës refuzoi të ratifikojë Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Serbinë,pavarësisht plotësimit të kushtit për arrestimin e kriminelit të luftës Ratko Mladic.
Holanda është i shteti i fundit i BE-ë që ende nuk e ka ratifikuar MSA-ë me Beogradin. Autoritete holandeze kanë kërkuar që para se të shqyrtojnë këtë çështje në një seancë të re të parlamentit, kryeprokurori i Tribunalit të Hagës të dorëzojë një raport zyrtar për arrestimin e Mladicit dhe bashkëpunimin e Serbisë me Hagën. /Telegrafi/