Mars 1993. Pasi kishim përhapur fjalë se do të nxirrnim një gazetë, pasi kishim mbledhur andej-këtej nëpër të njohur një tufë pajisjesh-rrangulla, tryeza, karrige, makina shkrimi që mezi punonin dhe me germat e ndotura nga përdorimi, pasi kishim marrë me qera edhe një shtëpi të vjetër me qerpiç në zonën e Bërrylit, më në fund po fillonim punën si redaksi e mirëfilltë. Gjithçka na rrethonte vinte era myk dhe redaksia jonë ngjante, me standardin e sotëm, me një bodrum vjeturinash. E vetmja gjë e re fringo në atë ambjent depresiv, ishte dëshira jonë “për të shkruar edhe mbi mure”, siç thuhet në këto raste. Ishim të gjithë të rinj dhe nuk donim t’ia dinim për lagështinë e mureve të shtëpisë së vjetër dhe as për mungesën e ngrohjes. Nuk ishte kohë luksesh dhe ne në fakt nuk e dinim fare çfarë ishte luksi. Shqipëria e fillim-viteve 1990 ishte një vend i vështirë për të jetuar.
Ky qe përjetimi i një grupi gazetarësh të rinj në Tiranën e fillim-viteve 1990, i cili përfaqëson pak a shumë situatën e atëhershme, në të gjitha redaksitë e reja të shtypit të lirë shqiptar të postkomunizmit.
Në vitet e para pas rënies së sistemit totalitar, Shqipëria e kishte bërë prezantimin me erën e shtypit të lirë dhe drejt pikave të shitjes, në trotuare dhe me nga një gur sipër, kishin nisur të gjallonin një mori gazetash, fletëpalosjesh dhe botimesh gjithfarësh, ku lajmet për reformën e tokës dhe sherret e partive, rrinin ngjitur me historitë erotike më perverse, të sajuara në mesnatë nga ndonjë mendje e pagjumë redaksie. Një rizbulim vulgar i seksit të kujtonte se liria po vinte jo vetëm përmes sloganeve “Poshtë komunizmi” dhe “Rroftë tregu i lirë”, por edhe nëpërmjet qindra e mijëra fotosh, barsoletash dhe historish plot epsh të sajuar, që synonin vetëm të kapnin për xhakete shqisat e ndezura të shqiptarit të varfër.
Gazeta e parë nuk harrohet asnjëherë. Është si ajo eksperienca e parë romantike, që mbetet përjetë e ngulur në memorie. Për ne ajo quhej ‘Aleanca’ dhe i përkiste formalisht një partie politike. Si pjesa dërrmuese e shtypit të shkruar në ato vite, që i atashohej një platforme politike, jo vetëm për ta bërë atë më popullore, por edhe për të mbijetuar. Ishin kohë të vështira angazhimi dhe rreshtimi, kur shtypi shqiptar nuk e kishte për turp militantizmin partiak, madje, me përjashtime të rralla, identifikohej me dëshirë me të.
Gjatë gjithë dekadës së parë të demokracisë, idealizmi i ndryshimit të sistemit politik kishte lënë një bisht të gjatë komete edhe në media, dhe jo pak prej nesh për shumë vite vijuan të mendonin se “Shqipëria do të bëhej”. Orët e gjata në redaksi, ndjekja e printimit në gazetë, rrogat e ulëta dhe mungesa e sigurisë për të ardhmen financiare, ishin vetëm një pjesë e një sfide që ne më të rinjtë e përjetonim lehtë dhe pa e vrarë shumë mendjen. Megjithëse një pjesë prej nesh ishin bërë prindër, profesioni i ri na shtynte të merreshim më shumë me lajmet, sesa me fundin e muajit kur jepeshin pagat.
Shtypshkronjat ishin një ndër “katedralet” kryesore të shtypit të shkruar në fillimin e viteve 1990. Zhurma e thatë e makinave të shkrimit, me faqosjet primitive në copa letrash, ku rreshtat e shkrimeve llogariteshin me përafërsi, plus mungesën e fotove të shumta nëpër faqe, bënin që puna me gazetën në shtypshkronjë të kthehej në një proces të gjatë korrigjimi të teksteve. Shumëkush sot do të habitej po t’i thonin se një shkrim normal asokohe “peshonte” disa kilogramë. Teknologjia e linotipit, makinave të mëdha që merrnin plumbin e shkrirë dhe e kthenin në peta të ngrira ku gdhendeshin germat e çdo rreshti, e bënte procesin e shtypshkrimit të ngadaltë, ndërsa duart tona që preknin plumbin e bojën e zezë, i ngjanin duarve të shoferëve të shkodave, pas një udhëtimi të gjatë maleve.
Deri në mesin e viteve 1990, gazetat prodhoheshin me këtë teknologji. Duhej të qerasje me një kafe punonjësit e linotipit, që të të jepnin bocën e shkrimit për ta korrigjuar. Shumë nga ata mjeshtër që thithnin gjithë ditën avuj helmues plumbi të shkrirë, me siguri kanë vdekur sot bashkë me makinat e tyre dinozaur, që kundërmonin një aromë therëse të cilën shumë prej s’e kanë harruar ende.
Shtypi i viteve 1990 nuk kishte brenda vetëm idilin e romantikën e lajmit të lirë, pasi shumë shpejt liria e publikimit do të vinte me çmime të larta për shumë gazetarë dhe media. Kolegët tanë u burgosën sepse thanë që kanë parë një autokolonë tankesh në Veri.
E, meqë jemi në klimë pandemie, në mesin e viteve 1990 do të na duhej të bënim edhe një betejë disi qesharake informacioni me qeverinë dhe mediat e saj të shkruara dhe elektronike, për shkak se shteti nuk pranonte as që në Berat e Kuçovë kishte rënë epidemia e kolerës. Ishin kohë të çmendura, më të çmendurat që kemi jetuar të gjithë ne shqiptarët. Përfshirë gazetarët, në llogoret e tyre të punës që shiheshin jo rrallë si armiq mes tyre.
Acarimi i situatave në vend e goditi rëndë shtypin e shkruar shqiptar. Madje në majën e tij. Gazeta më e madhe në Shqipëri, media ku punonte pjesa më e madhe e gazetarëve të shtypit të shkruar, do të digjej në një mënyrë të shëmtuar në mars 1997.
Ky ishte momenti i madh i thyerjes, jo vetëm për xhepat e boshatisur të shqiptarëve nga fajdet, jo vetëm për zhvillimet e vrullshme politike, por edhe për mediat. Pas atij momenti, asgjë s’do të ishte më si më parë. Epoka e medias partizane dhe militante kishte mbaruar në rrënojat me tym të gazetës më të madhe të 30 viteve të fundit. Era e medias që shërbente interesat ekonomike po lindte!
Pas vitit 1997, kur nisi të bjerë monopoli shtetëror i mediave elektronike, një erë e re u hap për gazetarinë në Shqipëri. Lufta RTSh-Koha Jonë, e cila megjithëse ishte atipike dhe zgjati disa vite, tashmë ia la vendin një ambienti tjetër. Më kompleks dhe më shumëngjyrësh. Gazeta të reja po lindnin, tregu i shtypit të shkruar u riformatua, duke sjellë në skenë disa sigla të reja gazetash të përditshme që dominuan tregun gradualisht. Në makinat private nisën të dëgjohen radiot e para në frekuencë FM dhe kjo qe paradhoma e lindjes së industrisë televizive private. Në vitet që pasuan ligjin në tregun e informacionit do e bënin këto të fundit, me të njëjtin vrull dhe përhapje si dikur gazetat pas vitit 1991.
Redaksitë u bënë më të mëdha, por në jo pak raste liria e shtypit u tkurr e u bë më e vogël. Media u bë gjithnjë e më tepër terreni i interesave politike e ekonomike, aq sa thuajse çdo biznesmen apo ish-shef komisariati (që shpesh kishte nga pas një ose disa politikanë), zbuluan dashurinë e të pasurit të një gazete, e mundësisht të një televizioni. Kishim hyrë në epokën kur shteti nuk të digjte më redaksinë e s’të fuste në burg, por kur klasa e pronarëve të medias nisi të vetëofrohej pranë elitës politike, për të shërbyer dhe marrë përfitime prej saj. Mund të imagjinohet sesa shumë e dëmtoi ky fenomen i ri lirinë e punës së gazetarit dhe profesionalizmin e tij.
Në fillim të viteve 2000, media kishte hyrë në rrugën e modernizimit, por ende nuk e dinte se çfarë e priste në horizont. Revolucioni i internetit që do të trokiste në dekadën e dytë të viteve 2000, nuk shquhej mirë në kapërcyellin e mijëvjeçarit të ri, kur televizionet ishin moda e re dhe kur dukej se po hynim në fazën pa kthim të medias elektronike. Shtypi i shkruar bashkëjetoi me televizionet, të cilat pushtuan të gjitha frekuencat dhe kohën e lirë të shqiptarëve. Gazetat shtypeshin në darkë, faqet e tyre të para lexoheshin në mëngjes, e kjo dukej si një simbiozë perfekte, e destinuar që të zgjaste.
Ishte ky një idil krejt i përkohshëm dhe i rrejshëm në thelb. Korrozioni që në botën e shtypit të shkruar kishte lindur me djegien e gazetës Koha Jonë në mars 1997, qe një fenomen që nuk ndalej. Përhapja e gazetave vetëm në qytete, kushtet e punës së gazetarëve, kriza gjithnjë e më e thellë e reklamave, po e çonte shtypin e shkruar shqiptar në një tatëpjetë konstante.
Hyrja në këtë kontekst e të parave rrjete sociale e faqeve online në fund të dekadës së parë të viteve 2000, shënoi për median shqiptare fillimin e një rrokopuje, e cila shënjoi de facto vdekjen shtypit të shkruar – viktimës së parë të medias globale, ku kaosi i rrjetit social dhe standardi i ulët i shtypit online bëjnë ligjin. Shqipëria hyri në xhunglën botërore të informacionit banal, në epokën e njohur si “post truth” ose “fake news”, ku e vërteta dhe gënjeshtra gëzojnë të njëjtin status pranë e pranë.
Ishte e imagjinueshme se në një ambient me pak rregulla, ku gazetarët vijojnë të punojnë në të zezë, pa unione që të mbrojnë interesat e tyre përballë punëdhënësve, bota e medias online do të ishte edhe më e komplikuar se në vendet e tjera. Mbi 700 portale dhe media online ndajnë sot informacione që vijnë nga një zonë gjeografike ku jeton një popullsi shqipfolëse jo më e madhe se 6-7 milionë banorë. Në këtë rast shprehja e Çurçillit se “Ballkani prodhon më shumë histori sesa është në gjendje të konsumojë”, duket e thënë enkas për mishmashin e madh të zhurmës, thashethemeve, të vërtetave, gjysmë të vërtetave apo gënjeshtrave, që prodhon bota shqiptare e shtypit digjital.
Kjo tendencë, e cila në fakt është e përbotshme, vjen veçanërisht e egër dhe e rrëmujshme në tregun shqiptar të informacionit, duke banalizuar produktin dhe ulur besueshmërinë e publikut tek media.
Kalimi gradual online i një pjese të shtypit të shkruar, ka sjellë një përmbysje të strukturës dhe cilësisë së lexuesve. Ato që dikur konsideroheshin gazeta të përditshme ose botime periodike, duke ruajtur linjën e tyre të botimit që fokusohej tek politika, ekonomia apo fenomenet sociale, e panë veten papritmas të ekspozuara ndaj një publiku që për shkak të teknologjisë, moshës dhe interesave krejt të tjera, nuk preferonte më produktin e tyre. Shpërthyen kështu lajmet rozë, që shfaqeshin aty-këtu në mes të lajmeve politike e ekonomike.
Tre dekadat e shtypit shqiptar janë një trajektore unike e transformimit të një medie dikur të kontrolluar nga sistemi komunist, në një mikrokosmos siglash, emrash, frymëzimesh e standardesh profesionale. Ky rrugëtim ka qenë gjithçka, përveçse i lehtë e pa pengesa. Beteja për fjalën e lirë, veçanërisht e vështirë në demokracitë e brishta e të korruptuara si kjo e jona, e ka vënë median shqiptare përballë elitave politike, interesave të biznesit, krimit dhe plot faktorëve të tjerë negativë, që shtyjnë drejt censurës dhe kufizimit të informacion it të paanshëm e profesional. Nga burgosja e djegia e redaksive, qeveritë, përfshirë aktualen, kanë refuzuar të mësojnë leksionin më elementar, e njëherësh më të rëndësishëm: në përplasjen mes medias dhe shtetit, në fund të rrugës fiton gjithmonë media.
Trancizioni shqiptar ka qenë për gazetarët një shkollë e madhe profesioni, shpesh e ashpër dhe dramatike për fatet e tyre dhe të mediave ku punuan. Gjithçka mund të themi për Shqipërinë e 30 vjetëve, po që s’ka pasur gazeta, televizione e portale, kjo s’mund të thuhet. Në këtë pikë e kemi zbërthyer me laps në dorë batutën e vjetër të Çurçillit të vdekur. /Koha Jonë/