Telegrafi

Shtypi italian: Lamtumirë skafistë, tani Vlora është porti i energjisë

Terminali "hap faktikisht tregun energjetik të Shqipërisë ndaj ndërmarrjeve italiane të naftës", citohet të ketë thënë zv/ministri italian për agjencinë "ANSA" dhe të përditshmen "La Gazzetta del Mezzogiorno".

Nga ana e saj, e përditshmja "Il Giornale" shkruan se, për ndërtimin e këtij terminali janë dashur "dy vjet punime efektive".

"Sot Vlora rikonfirmon rolin e portës së hyrjes në Adriatik e në Ballkan, – citon kjo gazetë zv/ministrin italian, Urso, edhe falë pozicionit gjeografik të favorshëm krahasuar me rafineritë e tjera të Mesdheut qendror".

Më tej, "Il Giornale" shkruan se terminali është projektuar për të përpunuar anije deri në 20 mijë tonëshe në fazën e parë, e mbi 30 mijë tonëshe në fazat pasuese.

"Il Tempo", filial i së përditshmes ekonomike "Il Sole 24 Ore", në titullin e shkrimit të saj shkruan se: "Shqipëria ndryshon: lamtumirë skafistë. Tani Vlora është porti i energjisë".

"Sot Vlora sheh nga e ardhmja. Pikërisht dje u përurua terminali i produkteve të djegshme (naftë, gaz, por në të ardhmen do të jetë i gatshëm edhe për produkte ushqimore)… U rihapën marrëdhëniet mes dy vendeve; në të ardhmen e afërt janë tre miliardë e gjysmë euro në dispozicion të investitorëve italiane, të gatshëm për investime në Shqipëri".

Shtypi i përtej Adriatikut përmend edhe investimet e tjera italiane, që janë në proces e sipër në Shqipëri: një hidrocentral me kapacitet 800 megavat, që po përgatitet të ndërtohet nga "Moncada-Energy", një tjetër i tillë që po ndërtohet nga grupi "Marsiglia", me një investim prej 700 milionë eurosh, si dhe fillimi i punimeve prej kompanisë nga Roma, "BEG" për ndërtimin e një tjetër hidrocentrali në jug të vendit, pranë Tepelenës. /balkanweb/