Pushtimi serb i Kosovës në vjeshtën e ftohtë të vitit 1912 bëri jehonë në shtypin evropian.
Gazetat e kohës, që përcillnin lajm pas lajmi nga rrjeti i korrespodentëve që siguronin informacione nga frontet e luftës, pikasën edhe rezistencën e shqiptarëve në Kosovë.
“Ushtria e tretë serbe ka përparuar në pllajën e Kosovës, ku është kundërshtuar nga 40 mijë njerëz, kryesisht arnautë (shqiptarë), me dhjetë kompani të nizamëve dhe katër bateri të artilerisë”, shkruan gazeta “Leader” në numrin e saj të 26 tetorit 1912, shkruan Konica.al.
Në artikull jepet njoftimi edhe për luftimet e hapërdara dhe humbjet e konsiderueshme nga pala serbe.
“Luftime të ashpra janë zhvilluar, duke filluar prej Rashkës në veri të Pazarit të ri, deri në Veligllavë. Humbjet e serbëve kanë qenë të rënda…”, vijon artikulli.
Sipas artikullshkruesit, serbët më në fund ia kishin dalë mbanë të merrnin një grumbull shtëpish përreth Senicës, në veriperëndim të Pazarit të ri.
Gazeta “Leader” veçon edhe rezistencën në Prishtinë, ku siç thuhet në artikull “avancimi i trupave serbe u kundërshtua rreptë”.
Rezistenca shqiptare ishte përqëndruar në kalimin e Teneshdollit (fshat sot në veri të Prishtinës – shën. i red. Konica.al), por serbët arritën, pas luftimesh të ashpra, të hynin aty dhe më pas të merrnin edhe vetë Prishtinën.