Është ndërprerë seanca, e nisur në Gjykatën e Posaçme për marrjen në pyetje të ish-kreyministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.
Shkak është bërë kërkesa e avokatëve të ish-kryeministrit për t’u njohur me aktet në dosje.
Seanca është shtyrë për të rifilluar në orën 18:00 të pasdites së sotme.
Vetë Berisha ka refuzuar të shkojë në GJKKO, duke e cilësuar si antikushtetuese masën e sigurisë ndaj tij, pa iu drejtuar më parë parlamentit.
Berisha gjatë një konferencë për media në orën 14:00, kur nisi dhe seanca në GJKKO tha se është i gatshëm t’i përgjigjet organeve të drejtësisë, por duke respektuar Kushtetutën mbi imunitetin e ligjvënësve.
Berisha është përfaqësuar në gjykatë nga dy avokatët Sokol Mengjezi dhe Genc Gjokutaj.
Ish-kryeministri akuzohet nga GJKKO për korrupsion pasiv, pasi përmes akteve ligjore ka favorizuar dhëndrin për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Një ditë më parë GJKKO vendosi të lërë në burg Jamarbër Malltezin, dhëndrin e Sali Berishës, si edhe detyrim paraqitjeje për ndërtuesin Fatmir Bektashi. Ndaj ish-kryeministrit Berisha janë vendosur masat e sigurisë ‘detyrim paraqitjeje’ dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit” për akuzën ‘korrupsion pasiv’.
Policia e Shtetit ka tentuar mbrëmjen e kaluar, por edhe të shtunën, që ta njoftojë ish-kryeministrin me masën e sigurisë, por Berisha i ka shmangur.