Site icon Telegrafi

Shtyhet seanca ndaj ish ministrit Saimir Tahiri

Gjykata e Posaçme e Shqipërisë ka shtyrë për 17 janar, ora 11:00 seancën ndaj Saimir Tahirit dhe Jaeld Çelës. Shkak i shtyrjes është bërë kërkesa e gjyqtarit Florian Kalaja për t’u njohur me dosjen.

Një ditë më parë, Kalaja zëvendësoi gjyqtaren Daniela Shirka, e cila dha dorëheqjen nga shqyrtimi i çështjes penale ndaj ish-ministrit të Brendshëm dhe ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela.

Më herët, ka dhënë dorëheqjen nga kjo çështje Miliana Muça dhe Ilirjana Olldashi.

Aktualisht, trupi gjykues përbëhet nga Florian Kalaja, Engert Pëllumbi dhe Igerta Hysi, të tre të deleguar nga apelet e zakonshme.

Kur vendosi të rikthejë edhe njëherë për gjykim në Apel çështjen e ish-ministrit të Brendshëm, Gjykata e Lartë vendosi që këtë herë çështjen ta drejtojë një tjetër trupë gjykuese, duke miratuar kërkesën e avokatit të Tahirit, Maksim Haxhia. Gjatë dëgjimit të pretendimit të palëve në seancë, SPAK kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Apelit, që nga ana e tij kishte vendosur për kthim të çështjes në gjykim në Shkallë të Parë.

Rekurs për çështjen ka bërë edhe prokuroria, e cila i qëndron kërkesës për dënimin e Tahirit me 12 vite burg për “trafik narkotikësh” dhe “grup të strukturuar kriminal”.

Sipas prokurorisë, Tahiri dhe i bashkëpandehuri i tij, Jaeld Çela, kanë garantuar grupin e “Habilajve” në trafikun e sasive të mëdha të kanabisit nga Shqipëria në Itali.

Përballja e Tahirit me drejtësinë nisi në nëntor 2017, kur ai u dyshua si garantor i grupit të “Habilajve” në trafikun e drogës. Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda, rrëzoi akuzat për trafik droge e grup kriminal dhe e fajësoi ish-ministrin për “shpërdorim të detyrës”. Apeli i Posaçëm e vlerësoi si të gabuar rikualifikimin e veprës penale për ish-ministrin dhe ktheu dosjen për rigjykim në Shkallën e Parë. /a2/

 

Exit mobile version