Avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj, tha se seanca paraprake për çështjen “Partizani” u shty pasi pala mbrojtëse kishte kërkuar të njihej me aktet dhe sipas tij, janë 160 mijë faqe dokumente të cilat duhen lexuar dhe analizuar, raporton A2 CNN. Për këtë, gjykata u la 10 ditë kohë, shtoi Gjokutaj.
I pyetur se çfarë do të kërkojë në seancën e radhës, Gjokutaj u përgjigj: “Çështja nuk ka as dyshimin më të vogël të arsyeshëm. Sigurisht që do të kërkojmë pushimin e çështjes, pastaj, vendimmarrja është e gjykatës”.
Ndërsa mungesën e Berishës e arsyetoi: “Në seancat procedurale nuk është e nevojshme prania e tij. Por në seancat ku do të jetë e nevojshme prania e tij për të dëshmuar për rrethana dhe fakte, do të jetë”.
Sali Berisha akuzohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
Jamarbër Malltezi akuzohet për kryerjen e veprave “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal.
Fatmir Bektashi akuzohet për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe “Pastrimi të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal.
Të akuzuarit e tjerë janë:
Xhimi Begeja, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal;
Andia Pustina, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal;
Subjekti juridik, shoqëria tregtare, Studio Pustina sh.p.k. akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal;
Subjekti juridik, shoqëria tregtare, Homeplan sh.p.k., akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i parë i Kodit Penal;
Subjekti juridik, shoqëria tregtare, Kontakt sh.p.k., akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i parë i Kodit Penal.