Telegrafi

Shtyhet Provimi i Maturës, shkak zgjedhjet e parakohshme

Foto: Ilustrim

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë të cilat do të mbahen më 11 qershor, kanë ndikuar në shtyrjen e Provimit Shtetëror të Maturës.

Shtyrjen e Provimit të Maturës e kanë konfirmuar edhe zyrtarët e Ministrisë së Arsimit. Ata thonë se pjesë e para e provimit të Maturës e paraparë të mbahet më 10 qershor, do të mbahet më 14 qershor.

Në këtë privim do të përfshihen rreth 32 mijë maturantë, 28 mijë nga ky vit dhe katër mijë të tjerë që kanë mbetur nga vitet e kaluara do t’i nënshtrohen këtë vit Provimit Shtetëror të Maturës.

“Ky provim do të mbahet më 14 qershor pjesa e parë. Kjo për shkak të zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë. Ndërkaq pjesa e dytë do të mbahet ashtu siç është paraparë më 24 qershor”, ka thënë për Gazetën Monitor kryetari i Komisionit Shtetëror të Maturës, Azem Guri.

Kurse risi e këtij viti do të jetë se administruesit do të përzgjidhen nga një thirrje publike dhe do të trajnohen nga Ministria e Arsimit.

Të drejtë aplikimi për të qenë administrues kanë profesorët, shoqëria civile, studentë nga universiteti.

“KSHM është në fazën e përgatitjes së Provimit Shtetëror të Maturës. Ne kemi zgjedhur ekspertët për përgatitjen e pyetjeve dhe tani jemi në fazën për zgjedhjen e administruesve nëpër komuna. Risi e këtij viti është se administruesit do të zgjidhen mbi bazën e një oferte mbi bazën e aplikimeve që do të bëjnë ata nëpër komuna nga kriteret që ne i kemi përcaktuar. Këta administrues do të trajnohen. Administrues do të jenë mësimdhënës, nga shoqëria civile, student, nga universitetet. Administruesit do t’i zgjedhim me ofertë ose me shpallje të interesit”, ka treguar Guri për Gazetën Monitor.

Megjithatë për administruesit janë caktuar kritere nga Ministria e Arsimit.

“Kriteret janë caktuar. Një administrues flas mësimdhënësit duhet të jetë mësimdhënës me tri vite  përvojë pune, të jenë të licencuar dhe të kenë një performancë të mirë.  Shoqëria civile do të jenë kryesisht në monitorim të procesit”, tregoi Guri.

Ndryshe, për ata nxënës që nuk do kenë fatin të kalojnë testin në afatin e qershorit, do të jetë edhe shansi i dytë më 26 gusht dhe 2 shtator.