Pas mospajtimeve në mes deputetëve të pozitës dhe opozitës është shtyrë për të hënën mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq.
Deputeti i VV-së, Sami Kurteshi tha se pozita po shihet që po dëshiron ta pengojë punën e Komisionit hetimor.
“Asnjëherë nuk kanë me marrë ata pjesë në këto mbledhje. Ata ose duan diçka me fsheh, ose i tuten shefave të tyre. Kjo gjë ndodh vetëm në Kosovë, pa asnjë arsyeje e lëshojnë mbledhjen. Pozita nuk është e interesuar që të bëhet një hetim parlamentar ashtu qysh është caktuar në seanca të Kuvendit”, tha ai.
Mbledhja e sotme nisi me ftesën e raportimit të një zyrtari policor, ku ishin prezent edhe mediat.
Megjithatë, ende pa filluar intervistImi i tij, reaguan anëtarët e komisionit nga pozita, të cilët kërkuan që mbledhja të jetë e mbyllur për media për shkak të ndjeshmërisë së rastit, si dhe për shkak se mund të dëmtohet procesi i hetimeve.
Atëherë kanë reaguar anëtarët e komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilët kërkuan që takimi të jetë i hapur për media.
Mbledhjen e lëshuan Ganimete Musliu, Haxhi Shala, Muharrem Nitaj, Bahrim Shabani.
Më vonë u vendosë që mbledhja të mbahet të hënën në ora 09:00.