Telegrafi

Shtyhet për herë të dytë Censi i Popullsisë në Shqipëri

Instituti i statistikave kombëtare në Shqipëri (INSTAT) njoftoi shtyrjen e aktivitetit të grumbullimit të të dhënave në terren të Censit të Popullsisë dhe Banesave për vitin e ardhshëm.

Në kushtet e mossigurimit në kohë të mjeteve të nevojshme për grumbullimin e informacionit në terren, është i pamundur realizimi i këtij aktiviteti, the INSTAT në një njoftim për shtyp.

“Instituti i Statistikave mbetet i vendosur në objektivin e tij për të kryer Censin e Popullsisë dhe Banesave në përputhje me standardet dhe rekomandimet e Kombeve të Bashkuara dhe Zyrës Statistikore të Bashkimit Evropian (Eurostat)”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Kjo është hera e dytë që shtyhet zhvillimi i Censit. Herën e parë shtyrja u bë për shkak të situatës së krijuar nga pandemia.

Më pas, INSTAT vendosi që në 1 tetor të këtij viti do të niste zyrtarisht Censi i Popullsisë, për të cilin gjatë vitit 2021 u zhvilluan hallkat e nevojshme të parapërgatitjes.

Në raportin vjetor të INSTAT thuhej se ky Cens parashikohej të zgjaste 6 javë.

Sipas INSTAT, gjatë vitit 2022 do të finalizoheshin të gjithë materialet e nevojshme për realizimin e Censit në Tetor 2022, si dhe do të vijonte puna me reflektimin e përmirësimeve të mundshme të rezultuara nga gjetjet e Pilot Censit dhe më pas konsolidimi i të gjithë aplikacioneve, manualeve, materialeve të trajnimit dhe materialeve të tjera mbështetëse. /Telegrafi/