Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot në mesditë do ta vazhdojë mbledhjen e pestë në të cilën debatohet me kërkesë të LSDM-së që prokurori publik shtetëror Marko Zvërlevski të shkarkohet nga detyra, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Për shkak të pjesëmarrjes së deputetëve në punën e disa komisioneve kuvendore, të cialt mbahen njëkohësisht më herët sot, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi e zhvendosi vazhdimin e mbëedhjes për një orë më vonë.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Oliver Ristovski në fillim të debatit dje arsyetoi se propozimi për shkarkimin e prokurorit është për shkak të ushtrimit të paligjshëm, të pasaktë dhe dhe me profesionalizëm të pamjaftueshëm të funksionit. “Për fat të keq Prokurorinë Publike Shtetërore prej janarit të vitit 2013 e deri më sot e përfaqësonte personi i cili për tërë mandatin e vet të deritanishëm e kryente detyrën e vet në mënyrë të pandërgjegjshme dhe joprofesionale dhe nuk e respektonte ligjin me konsekuencë”, tha Ristovski dhe, mes tjerash, shtoi se në vend që të kujdeset për të drejtat dhe liritë e njeriut e përfaqësonte Prokurorinë Publike me heshtje dhe mosndërmarrje të kurrfarë veprimeve kundër krimit, njofton AIM.
Në paraqitjen e tij para deputetëve Zvërlevski dje tha se në katër vitet e shkuara ka punuar me përgjegjësi, në bazë të ligjit, Kushtetutës dhe rregullave të Prokurorisë publike. Në diskutim, deputetët e OBRM-PDUKM vlerësuan se qëllimi i kërkesës së LSDM-së për shkarkimin e marko Zvërlevskit është revanshizmi i liderit të tyre dhe kryeminsitrit Zoran Zaev sepse prokurori publik kundër tij i ka ngritur aktakuzat për lëndët “Puçi” dhe “Mitmarrja”. Petre Shilegov nga LSDM ndërkaq theksoi se Zvërlevski nuk ka arritur ta ruajë Republikën e Maqedonisë nga politikanët, ka mbrojtur krimin dhe se paaftësia e tij nuk është vetëm konstatim politik nga ana e partisë së tyre, por konstatim të tillë, tha ai, shteti ka marrë pothuajse në të gjitha raportet nga institucionet relevante ndërkombëtare. /Telegrafi/