Dueli miqësor i boksit ndërmjet Mike Tyson dhe Roy Jones Jr është shtyrë për datën 28 nëntor të këtij viti.
Meçi i shumëpritur që do ta rikthejë legjendën në ring, ishte caktuar të zhvillohej më 12 shtator, mirëpo The Ring raporton se është shtyrë në përpjekje për t’i rritur të hyrat.
Ish-kampioni i padiskutueshëm i botës në kategorinë e peshave të rënda do t’i kthehet boksit pas mungesës 15 vjeçare në përballjen që do të zhvillohet në Carson të Kalifornisë.
Kreu i Komisionit Sportiv të Shtetit të Kalifornisë, Andy Foster, ka thënë më herët se pret që meçi ndërmjet 54-vjeçarit Tyson dhe 51-vjeçarit Jones të jetë si një sesion sparringu.
Megjithatë, Roy ka thënë se do ta mbrojë veten sikur të jetë një meçi vërtetë boksi. Ai shpreson se dueli me legjendën të tërheqë interesim shumë të madh.
Meçi i fundit zyrtar i Tyson ka ndodhur në qershor të vitit 2005 kur ishte mposhtur nga Kevin McBride. Derisa Jones për herë të fundit është ndeshur në shkurt të vitit 2018 kur e kishte mposhtur Scott Sigmonin. /Telegrafi/