Telegrafi

Shtyhet hedhja në treg e eurobondit

Vetëm nëse bankat ofrojnë kushte tepër të favorshme, të paktën nën 7.5 për qind interes, atëherë edhe mund të shikohet varianti i emetimit. Me reduktimin e buxhetit për rreth 39 miliardë lekë, emetimi i eurobondit nuk shihet me ngut, edhe pse tregjet janë qetësuar.

Strategjia për shtyrjen e borxhit do të pasojë me politika më të kujdesshme për huamarrjen e brendshme. Për të qenë sa më të ekuilibruar me nivelin e borxhit të jashtëm, i cili do të ndikohet nga disbursimet, dhe për këtë ministria nuk ka një parashikim të qartë, për pjesën e tregut të brendshëm, autoritetet do të tregohen mjaft konservatore.
Në ankandin e radhës nuk do të merren hua nga bankat vendase, por vetëm rishikim i termave, duke zgjatur afatet.

“Nuk kemi më presionin e muajve maj-qershor, kur kërkonim me ngulm kredi, qoftë edhe me interesa 8.5 për qind. Tashmë kemi qetësinë për të bërë zgjedhjen e duhur. Në këto kushte, eurobondi shikohet si mundësi e duhur vetëm për 2011-n”, saktëson Ministria e Financave.

Me rishikimin e buxhetit që parashikon uljen e deficitit buxhetor në 3.1 për qind, nga 7.1 për qind që ishte në 2009-n, do të reflektohet edhe në nivelin e huamarrjes së brendshme, pa qenë nevoja për të dalë nga limitet e lejuara, sikurse është vepruar në vitet e kaluara.

Deficiti buxhetor në buxhetin e rishikuar të vitit 2010 rezulton në rreth 38 miliardë. /Tch/Telegrafi/