Gjykimi i Luz Allakajt për vrasjen e dyfishtë në Gjakovë është shtyrë për mungesë të të dëmtuarit dhe avokatit të tij.
Seanca e gjykimit të Luz Allakajt është shtyrë për mungesë të palës së dëmtuar.
Në seancën e sotme munguan i dëmtuari Pren Hili dhe përfaqësuesi i autorizuar i tij Haxhi Çekaj.
Kryetari i trupit gjykues Shaqir Zika tregoi në gjykatë se avokati Haxhi Çekaj me shkresë të veçantë ka bërë me dije se do të mungojë, pasi është i zënë në një rast tjetër të vrasjes.
Prokurori Agron Matjani propozoi pastaj që seanca të shtyhet, me arsyetimin se i dëmtuari dhe përfaqësuesi i tij në këtë fazë të procedurës janë të domosdoshëm.
“Unë propozoj që kjo seancë të shtyhet deri sa të sigurohet prezenca e të dëmtuarit dhe avokatit Haxhi Çekajt dhe të vazhdohet me këtë gjykim në një ditë tjetër, se edhe ai duhet të bëjë pyetje,” tha prokurori Matjani.
Propozimi për shtyrje nuk u kundërshtua nga Ndrec Dodaj, avokati i Luz Allakajt.
“Nuk e kundërshtojmë as ne propozimin e prokurorit,” tha avokati Dodaj.
Gjykata me vendim e shtyu seancën në muajin tetor të këtij viti.
“Trupi gjykues merr këtë aktvendim-seanca e sotme nuk do të mbahet dhe e njëjta shtyhet për datën 25, 26 dhe 27 tetor,” tha kryetari i trupit gjykues Shaqir Zika.
Sipas aktakuzës, Luz Allakaj më 1 gusht 2014 rreth orës 09:00 në fshatin Marmull me dashje nga hakmarrja ka privuar nga jeta të miturin P. H. dhe tani të ndjerin Hil Hili”./KALLXO.com/