Site icon Telegrafi

Shtyhet gjykimi për padinë e Johnny Depp ndaj “The Sun” për shpifje

Amber Heard dhe Johnny Depp (Foto: Jason Merritt/Getty Images/Guliver)

Çështja e Johnny Depp ndaj gazetës ‘The Sun’ për akuzat se ai ishte i dhunshëm dhe abuziv ndaj ish-gruas së tij, Amber Heard, do të shtyhet për një datë të mëvonshme.

Ylli i “Pirates of the Caribbean”, ka hedhur në gjyq gazetat e News Group (NGN), botuesit e ‘The Sun’ dhe redaktorin ekzekutiv të gazetës, Dan Wootton, për një artikull të botuar në prill të vitit 2018 që i referohej atij si një “abuzues”.

Gjykimi dyjavor duhej të fillonte të hënën në Londër, në të cilin Depp dhe Heard dhe një numër i figurave të Hollywoodit pritej të dëshmonin për rastin, shkruan The Guardian. Gjykatësi i rastit kishte thënë se dy prej përfaqësuesve ligjorë të Depp kishin pasur nevojë të izoloheshin.

“Askush nuk mund të parashikojë nëse të tjerët të përfshirë në këtë çështje, dhe unë nuk e përjashtoj veten time, ose do të infektohen ose do të duhet të izolohen, sepse ata kanë rënë në kontakt me dikë që ka ose mund ta kenë virusin”, kishte qenë deklarata e tij.

Ai po ashtu shtoi se kufizimet e udhëtimit midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës, ku aktualisht është Depp, dhe SHBA, ku jeton Heard, ishin një faktor tjetër në vendimin e tij.

Amber Heard dhe Johnny Depp (Foto: Paul Marotta/Getty Images for Warner Brothers/Guliver)

Në një seancë dëgjimore të mërkurën, Adam Wolanski nga NGN ka thënë se Depp dëshironte që gjyqi të shtyhej “jo për shkak të coronavirusit, por sepse ai nuk mund të përballet me perspektivën e gënjeshtrave ndaj tij dhe se është frikacak dhe e di se ai do të humbë”.

Ndërkaq, ai shton se Depp kishte përdoruar masa të ndryshme vetëm për ta ngacmuar ish gruan e tij.

“Ajo shpjegon se ai ka përdorur, për shumë vite, fuqinë e tij fizike, financiare dhe profesionale për të turpëruar dhe ngacmuar atë dhe njerëzit përreth saj, përfshirë dëshmitarë në këtë rast”, shtoi Wolanski.

Kurse përfaqësuesja e tij, Jennifer Afia, tha se klienti i saj ishte “jashtëzakonisht i etur që këto procedura të shkojnë përpara sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që ai të mund të shfajësojë reputacionin e tij”, por që përhapja në mbarë botën e Covid-19 kërkoi që gjykata dhe palët “të jenë realiste, përgjegjëse dhe, mbi të gjitha, të sigurta”.

E gjithë historia e dyshes kishte filluar kur Heard kishte dhënë fakte për tre incidente specifike të dhunës, në dhjetor 2015, më 21 prill dhe më 21 maj, por sipas aktores 30 vjeçare, Depp e ka dhunuar atë fizikisht dhe psikikisht gjatë gjithë marrëdhënies së tyre. /Telegrafi/

Exit mobile version