Skitari jonë, Albin Tahiri nuk ka arritur sot (e diel) të debutoj në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022”, pasi gara e tij është shtyrë shkaku i kushteve të dobëta meteorologjike.
Faqja zyrtare e KOK-ut ka njoftuar se fillimisht është shtyrë për tri orë shkaku i erërave të forta gara e lëshimit në skijimin alpin të Lojërave Olimpike Dimërore Pekini 2022.
Gara pritej të niste në ora 6:00 me kohën tonë lokale, pastaj nga ora 07:00, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Megjithatë, KOK-u ka njoftuar më vonë, se përfundimisht, shkaku i erërave të forta, gara e lëshimit në skijimin alpin është shtyrë për një ditë tjetër.
Skitari jonë, Albin Tahiri ka numrin rendor 43 dhe debutimi i tij në “Pekini 2022” do të vijë brenda disa ditësh.
Përveç Tahirit, Kosovën e përfaqëson në “Pekini 2022” edhe skitarja 17-vjeçare Kiana Kryeziu. /Telegrafi/