Ndonëse ishte paralajmëruar se kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, pritet që rreth orës 12:00 të mesditës së sotme të marrë rrugën për në Hagë për t’iu përgjigjur ftesës së Gjykatës Speciale, një gjë e tillë pritet të mos ndodhë.
Së paku kjo nuk do të ndodhë me orarin e paralajmëruar.
Kjo pasi që, është bërë e ditur se fluturimi me të cilin do të udhëtonte Haradinaj është shtyrë.
“Ju njoftojmë se fluturimi me të cilin ka pasur të udhëtojë Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj për në Hagë, është shtyrë për disa orë, për shkak të vonesave të kompanisë së fluturimeve “Austrian Airlines””, ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit.
Haradinaj të premten e javës së kaluar ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale e Hagës për t’u intervistuar.
Kjo ishte edhe arsyeja që Haradinaj dha dorëheqje nga posti i Kryeministrit.
Përveç Haradinajt, i ftuar është edhe Jakup Krasniqi, i cili është nisur për në Hagë në orët e hershme të mëngjesit. /Telegrafi/