Afati për aplikim për certifikimin dhe dorëzimin e listave të kandidatëve nga partitë politike, i cili ka qenë i hapur nga 1 shtatori deri më 11 dhjetor në ora 16:00, është shtyrë për 8 orë të tjera.
Vendimi për këtë shtyrje u mor pak minuta para përfundimit të afatit nga anëtarët e KQZ-së nga radhët e partive politike. Ky vendim u mor përshkak të problemeve me platformën online.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Ju njoftoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zgjatur afatin për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe për dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025, deri në orën 23:59 të ditës së sotme, e mërkurë, 11 dhjetor 2024.
Këtë vendim, KQZ e mori gjatë mbledhjes së sotme duke pasur në konsideratë se për herë të parë ky proces realizohet përmes platformës online http://certifikimi.kqz-ks.org dhe disa nga subjektet politike kanë pasur vështiësi në përdorimin e platformës”, tha Elezi.
Ndryshe, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) theksoi se, “Sistemi online, si një nga zhvillimet më pozitive të KQZ-së në këto zgjedhje, ka funksionuar në mënyrë të shkëlqyeshme. Problemi kryesor qëndron te partitë, veçanërisht ato të mëdha, që nuk e kanë marrë seriozisht këtë proces”.
Sipas tij, vendime të tilla jo vetëm që krijojnë precedent të keq për respektimin e afateve ligjore, por edhe dëmtojnë besimin e qytetarëve në integritetin e procesit zgjedhor.
Cakolli theksoi se “kjo shtyrje cenon besimin e publikut në punën e KQZ-së dhe në gjithë procesin zgjedhor, duke krijuar perceptimin se rregullat mund të anashkalohen sipas interesave të partive.” /Telegrafi/