Site icon Telegrafi

Shtyhet deri në fund të vitit hapja e Aeroportit të ri të Stambollit

Hapja zyrtare është caktuar më 29 tetor por mesa duket aeroporti i ri i Stambollit nuk do të hapet plotësisht deri në fund të këtij viti.

Aeroporti është një pjesë kryesore e një ‘bumi’ ndërtimi 15-vjeçar nën drejtimin e presidentit Tayyip Erdogan. Ai ka një kapacitet fillestar të planifikuar prej 90 milionë pasagjerësh në vit, duke e bërë atë një nga aeroportet më të mëdha në botë. Zyrtarisht ai do të hapet më 29 tetor datë e cila përkon me përvjetorin e shpalljes së Republikës Turke në vitin 1923, por drejtori i përgjithshëm Kadri Samsunlu tha se aeroporti do të hapet pjesërisht në atë datë. “Ne e shtymë transferimin e madh nga Aeroporti Ataturk deri më 31 dhjetor”, tha ai për një grup gazetarësh që po vizitonin aeroportin e ri sipas Reuters. Ataturku është aeroporti aktual i qytetit.

Kompania e Samsunlu, IGA, e cila do të operojë aeroportin e ri, tha se puna e muajit të shkuar ka qenë korrekte dhe se hapja e planifikuar më 29 tetor nuk do të shtyhet. Sipas, Hurriyet Daily News deri më 29 tetor Turkish Airlines do të fluturojë nga aeroporti i ri në Ankara, Izmir dhe Antalia në rrugët e brendshme, me të vetmen rrugë ndërkombëtare që është Baku, në Azerbajxhan.

Muajin e kaluar, Turqia arrestoi zyrtarisht dhjetëra njerëz në mesin e qindra të përfshirëve në protesta për kushtet e punës në aeroportin e ri. Puna më pas u rifillua, me një prani të madhe policore, sipas sindikatave të punës. Kompania tha se ishin ndërmarrë hapa për të përmirësuar kushtet e punës dhe lagjet e banimit. /Telegrafi/

Exit mobile version