Telegrafi

Shtyhet afati për hyrje të TAV-it në aeroportet e Maqedonisë

Vendim në fjalë e mori Qeveria, lidhur me marrëveshjen e firmosur më 24.09.2008 me kompaninë tuke TAV Havalimanları Holding A.Ş. për koncesion të aeroportit "Leka i Madh" – Shkup, "Sh. Apostull Pali" – Ohër dhe kargo-aeroportin e tij në Shtip.

Sipas kësaj marrëveshje, koncesioni duhej të hyjë në fuqi më së voni tre muaj pas firmosjes së saj.

Vazhdimi i afatit është rezultat i krizës ekonomike globale për shkak të cilës ndodhën ngjarje të paparashikueshme, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Transportit.

Për këtë qëllim, Qeveria e Maqedonsië, e përfaqësuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dhe TAV (TAV Havalimanları Holding A.Ş.) dhe TAV Maqedoni, DOOEL Shkup) do të firmosin aneks drejt Marrëveshjes për koncesion.

Përveç rikonstruimit të aeroportit të Shkupit dhe Ohrit, investitorët turq zotohen të ndërtojnë edhe kargo-aeroport në Shtip.

Tërë investimi vlerësohet në rreth 200 milionë euro, ndërsa në këmbim kompania turke do të ekonomizojë me aeroportet gjatë 20 viteve të ardhshme.