Site icon Telegrafi

Shtuni: Situata e sigurisë në Kosovë shqetësuese, rreziku për destabilizim është real

Eksperti i sigurisë ndërkombëtare, Adrian Shtuni, ka deklaruar se situata e sigurisë në Kosovë vazhdon të jetë shqetësuese dhe se sipas tij rreziku për destabilizim është real.

Në një linjë direkte në RTV Dukagjini, Shtuni tha se Kosova duhet të fokusohet të implementimi i marrëveshjeve të arritura në mënyrë që  t’i arrijë synimet afatgjate që i ka.

“Situata e sigurisë në Kosovë mbetet shqetësuese dhe rreziku për destabilizim është real. Sulmi paramilitar i Banjskës rrit kërcënimin e sigurisë jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon sepse mund të ketë ndikim prandaj kemi parë edhe shtim të prezencës së KFOR-it në veri. Duhet që Kosova të fokusohet te implementimi i atyre dakordësive, marrëveshjeve që janë arritur. Kosova duhet të bëjë diçka për të dalë nga barrikada dhe për t’u ndërmarrë veprime që japin një sinjal që Kosova është e gatshme të ecë në drejtim të asaj që po këshillohet vazhdimisht nga aleatët, që t’i largohen sanksionet…”, tha ai.

Ndonëse siç thotë Shtuni, përgatitja është në nivelin e duhur, megjithatë ai konsideron se rreziku ende ekziston.

“Po diskutohet mundësia e shtimit permanent të vazhdueshëm të trupave të KFOR-it në Kosovë pikërisht për të parandaluar përkeqësime apo shtime të incidenteve të dhunshme që mund të çojnë në destabilizimin e rajonit, përgatitja është në nivelin e duhur por rreziku ekziston”, shtoi ai.

Po ashtu, ai thekson se Kosova duhet të punojë drejt njohjes shteteve mosnjohëse dhe t’i përmbahet zotimeve që i ka marrë.

“Idealja do të ishte që Kosova të anëtarësohet në NATO, ai do të duhej të ishte hapi vendimtar që di të garantonte sigurinë e Kosovës në planin afatgjatë por që të bëhet kjo Kosova duhet të punojë drjet njohjes mosnjohëse, t’i përmbahet obligimeve, zotimeve të marra përballë aleatëve, BE-së, sa i përket normalizimit të marrëdhënies me Serbinë. Kjo është rruga e vetme për të arritur synimet afatgjate që Kosova i ka”, tha më tutje Shtuni.

 

Exit mobile version